Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier ka thënë se ShBA-ja e ka të qartë se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nuk “duhet të jetë Republikë Srpska”.
Në një paraqitje para mediave në Gjakovë, pas një takimi me kryetarin e komunës, Ardian Gjini, ambasadori Hovenier ka deklaruar se ShBA-ja e ka të bazuar në tri pika qëndrimin e saj për Asociacionin.
“Më lejoni të ju them tri pika, të cilat nuk janë të reja: E para është që Shtetet e Bashkuara mendojnë se tani ka ardhur koha që Qeveria e Kosovës të ecë përpara me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Pika e dytë është se kemi qenë shumë të qartë se çka nuk duhet të jetë: nuk duhet të jetë Republikë Srpska, nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive E treta: Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë po aq të qëndrueshme në mbështetjen e tyre për Kosovën, siç kanë qenë gjithmonë”, ka thënë Hovenier.
Lidhur me takimin e djeshëm të mbajtur në Ambasadën e ShBA-së në Prishtinë, Hovenier ka thënë se diskutimi ishte mundësi e mirë për shkëmbimin e pikëpamjeve të ndryshme me palët që morën pjesë.
“Rreth dy orë pas takimit të djeshëm, unë kam lëshuar një komunikatë për shtyp e cila është e qasshme në uebfaqen e Ambasadës tonë dhe aty unë e kam shprehur këndvështrimin tonë mbi atë se si ka shkuar takimi i djeshëm. Mendoj se ka qenë një mundësi e rëndësishme për një shkëmbim të plotë të ideve të cilat njerëzit kanë të drejtë t’i kenë të ndryshme ato pikëpamje”, tha ai.