Nënkryetatri i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lutfi Haziri, ka thënë se kryeministri Kruti, me deklaratën e sotme, ka lënduar e poshtruar mërgimtarët.
“Diasporën që tash e 60 vjet e mban gjallë këtë vend, e 23 vjet pas luftës e ruan paqen sociale, kurrkush nuk e ka goditur e ofenduar në këtë masë sa Albin Kurti. Me i quajt ‘alalfabetë funksionalë’ mërgatën tonë, është poshtërimi e lëndimi më i madh që ua ka bërë dikush ndonjëherë”, ka shkruar Haziri në facebook.
Sipas tij, në vitet e 60-ta, kosovarët shkuan në mergim për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike, ndërkaq sot, siç tha ai, ata po dalin si mjekë, inxhinierë, profesorë, e biznesmenë të suksesshëm.
“Në vitet e 60-ta gjyshërit e baballarët tanë migruan si punëtorë krahu e asistentë për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike e politike, si pasojë e regjimit të kohës, por nga gjenerata e dytë, e veçanërisht ajo e tretë, dolën mjekë, inxhinierë, profesorë, biznesmenë e zanatli tepër të suksesshëm, të cilët sot na bëjnë krenarë me arritjet e tyre”, ka shtuar ai.
Haziri i dërgoi edhe mesazh Kurtit, sipas tij, besimi i shumicës së mërgimtarëve po t’i kthehet shumë shpejt në mosbesim.
“Për Kurtin e kam një mesazh: Besimi i shumicës së bashkatdhetarëve ka me t’u kthy me mosbesim shumë shpejt. S’kanë me ta falë”, është shprehur ai, transmeton Klankosova.tv,Ai tha se bashkatdhetarët janë heronjtë e gjallë edhe të ditëve të sotme.
“Falënderim deri në përulje gjyshërve, baballarëve, vëllezërve, motrave, nipave e mbesave tona, të cilët nuk e harruan kurrë vendlindjen e prejardhjen. Ata një pjesë bukur të mirë të kuletës së tyre vazhdojnë ta ndajnë edhe sot për këtë vend. E këta që po ikin sot, po ikin prej teje, prej regjimin tënd që po administron me Kosovën. Kosovarët këtu e kudo në botë, kanë me të mbajt në mend si politikan që s’ka ekip e që nuk di me qeveris, por që i di veç dy gjëra: me i blloku proceset e me i lëndu njerëzit”, ka vazhduar ai.