Martesa me personin e zemrës, shpesh herë di të shndërrohet në ferr për gratë kosovare. Nuk janë të rralla rastet kur ato dhunohen në forma të ndryshme nga bashkëshortët e tyre, por jo gjithmonë kanë guximin që ata t’i denoncojnë në Polici. Një rast tejet i trishtë ka ndodhur së fundi edhe në fshatin Nerodime e Epërme të Ferizajt.
Gjithçka ka filluar katër vite më parë, kur 21-vjeçarja kishte vendosur që të martohet me partnerin e saj (emër i njohur për redaksinë), e me të cilin ka lindur edhe fëmijë.
Sinjali mëson se gjatë këtyre viteve, ajo ka qenë viktimë e dhunës psikike, fizike e seksuale nga bashkëshorti i saj, i cili e kishte keqtrajtuar atë vazhdimisht duke e detyruar që disa herë edhe të ndahet nga ai.
Rasti i fundit ka bërë që gruaja të kërkojë ndihmën e Policisë së Kosovës, ku ka deklaruar se më parë edhe pse ishte ndarë nga bashkëshorti, është rikthyer me të shkaku i fëmijëve e dhunën nuk kishte pasur guxim që ta raportojë tek organet e rendit.
E gjithë frika e viktimës vinte nga kërcënimet e të dyshuarit, i cili dyshohet se kishte thurur një plan për ta mbajtur në grusht nënën e fëmijëve të tij.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur detaje tronditëse, ku thuhet se 27-vjeçari shpesh herë gjatë marrëdhënieve seksuale me bashkëshorten e tij, kishte bërë fotografi e video ku viktima shihej e zhveshur, në mënyrë që ta shantazhojë.
Ai e kishte nuhatur se bashkëshortja e tij një ditë do të lodhet nga dhuna dhe mund ta denoncojë atë, prandaj edhe e kishte paralajmëruar se pamjet e tilla do ia lë amanet dikujt që t’i publikojë posa të arrestohet.
Gjatë intervistimit, 21-vjeçarja ka deklaruar se nuk ka arritur që t’i marrë fëmijët e saj të mitur. Të njëjtit kishin mbetur nën përkujdesjen e familjes së të dyshuarit.
Me të marrë informatën, njësitet policore janë vënë në lëvizje, me ç’rast kanë arritur që ta arrestojnë të dyshuarin, i cili më pas u shoqërua në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh. Ndaj të njëjtit është iniciuar rasti nën dyshimet për kryerjen e tri veprave penale “Dhunim”, ‘Sulm’ dhe ‘Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.