Oficerët e policisë gjermane mëngjesin e sotëm panë një krim horror në Berlin. Një burrë po e godiste për vdekje me sëpatë një grua. Autor i këtij krimi ishte një 23-vjeçar nga Kosova. Siç shkruan Berliner Zeitung, policët panë skena të tmerrshme pasi hynë në banesën ku po ndodhte krimi pak para orës 08:00 të mëngjesit, përcjell Gazeta Express.
Sipas të dhënave fillestare, gruaja e vrarë është ukrainase. Ata nuk ishin të martuar dhe Policia nuk ka mundur ende të tregojë se çfarë raporti ka pasur autori me viktimën.
Një i ri që banon në afërsi të banesës ku ndodhi krimi makabër tha se rreth orës 7 të mëngjesit ka dëgjuar bërtima të forta. Dikush, me sa duket autori i krimit, e kishte goditur me çekiç derën e banesës së tij. Dëshmitari thotë se si pasojë i është dëmtuar dera. Fqinji raporton se nuk ka guxuar ta hapë derën. Më vonë ai tha se pa gjurmë të mëdha gjaku në derën e banesës së tij.
Krimi ndodhi në banesën ku dera e ballkonit është e hapur
Sipas raportimeve të dëshmitarëve okularë, burri dhe gruaja 27-vjeçare kishin debatuar me zë të lartë përpara krimit, raporton Berliner Kurier. Fqinjët e kishin lajmëruar policinë pasi kishin dëgjuar gruan duke bërtitur tmerrësisht shumë në katin e 9-të të pallatit dhjetëkatësh.