Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është shprehur i shqetësuar me incidentin që ndodhi të hënën në Zveçan, ku i plagosur mbeti një pjesëtar i komunitetit serb.
Në reagimin e tij, Hovenier tha se Policia e Kosovës duhet bërë një hetim të plotë dhe kredibil lidhur me rastin, derisa u shpreh i shqetësuar edhe me pakujdesinë që tregoi policia, shkruan gazeta online Reporeri.net.
Kjo pasi, në njoftimin e Policisë së Kosovës për incidentin, fillimisht u mohua se pjesëtarë të policisë ishin të përfshirë në këtë incident, por më pas u vërtetua e kundërta.
“SHBA-ja është e shqetësuar për incidentin ku një serb i Kosovës u qëllua në Zveçan mbrëmë. Zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet përkatëse duhet të bëjnë një hetim të plotë, e kredibil. Ne jemi shumë të shqetësuar nga mohimi fillestar që u bë pa kujdes. Të gjithë qytetarët duhet të kenë besim në transparencën e forcave të zbatimit të ligjit dhe sektorin e drejtësisë”, ka shkruar Hovenier në Twitter.
“Mbështetja e SHBA-së për institucionet e Kosovës të sundimit të ligjit avancon një vizion të përbashkët të një shteti demokratik dhe multietnik. Ata që janë përgjegjës për veprime kriminale duhet të mbajnë përgjegjësi”, ka thënë tutje ambasadori amerikan.
Si pasojë e këtij sulmi, Policia ka njoftuar se ka suspenduar katër zyrtarë policorë, ku njëri prej tyre dyshohet se gjuajti me armë.
Në komunikatën e Policisë thuhet se janë marrë masa të suspendimit ndaj zyrtarit policor pasi i njëjti nuk ka raportuar lidhur me përfshirjen e tij në këtë rast, dhe bashkë me të janë suspenduar edhe tre zyrtarë tjerë të mundshëm të përfshirë në rast.
“Njëkohësisht Policia e Kosovës do të bashkëpunojë ngushtë me Inspektoratin Policor dhe Prokurorin e Shtetit, me qëllim që të vazhdojë të mbajë përgjegjës zyrtarët policorë, të cilët nuk përkojnë dhe veprojnë sipas standardeve më të larta etike dhe profesionale”, thuhet mes tjerash në komunikatë.