Gjykata Kushtetuese tashmë e ka regjistruar lëndën e dërguar nga Avokati i Popullit për Ligjin e Pagave, mëson Gazeta Nacionale, nga burimet brenda Kushtetueses.
Si shumë ligje të tjera të kësaj shumice parlamentare edhe ky i pagave ka përfunduar në institucionin e thirrur për ta interpretuar Kushtetutën. Çka duhet të dijmë?
Ligji i Pagave që tashmë do të kontestohet për kushtetutshmërinë e tij, do të vazhdoj të zbatohet deri në një vendim tjetër të Gjykatës. Pra, pagat këtë muaj dhe muaj deri në një vendim tjetër do të dalin sipas ligjit të ri. Kjo sepse Avokati i Popullit nuk ka kërkuar masë të përkohëshme për këtë ligj, meqenësë shkelja krysore sipas këtij institucioni, e që është ulja e pagës, do të reflektohej, drejtpërdrejt tek pas 2 vitesh, kur të përfundonte së zbatuari shtesa tranzitore, e cila është një plotësim i shumës së parave, për ata që kanë pësuar ulje të pagës, shkruan Nacionale, përcjell FrontLajm.
Por, kjo shtesë do të vlente vetëm për 2 vjet, çka është parë si një nga problemet e këtij ligji sipas Avokatit të Popullit.
Sipas njoftimit të Avokatit të Popullit, që nga miratimi i këtij ligjit e hyrjes në fuqi të tij, 2 muaj më parë (5 shkurt), pranë këtij institucioni ishin paraqitur hiq më pak se 104 ankesa.
“Avokati i Popullit, në kuadër të ushtrimit të mandatit të tij kushtetues dhe ligjor, që nga hyrja në fuqi e Ligjit nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik (më tej: Ligji i kontestuar), ka pranuar 104 ankesa nga subjekte të ndryshme të sektorit publik. Ankesat e pranuara kryesisht kanë të bëjnë me uljen e koeficienteve, rrjedhimisht me zvogëlimin e pagave, heqjen e shtesave apo trajtimin joadekuat dhe jo të barabartë ndërmjet pozitave të përcaktuara me ligj. Ankesat e pranuara janë parashtruar nga subjekte të sektorit publik, si ankesa grupore, individualisht si dhe nëpërmjet sindikatave.
Mostransparenca në krejt procesin gjatë draftimit e miratimit të këtij ligji, është përmendur qysh në fillim të opinionit që tashmë është në duart e gjyqtarëve të Kushtetueses.
“Më 5 shkurt 2023, pas një procesi, i cili, sipas Avokatit të Popullit, nuk ka qenë një proces transparent, i përgjegjshëm dhe as demokratik, Ligji i kontestuar ka hyrë në fuqi. Për më tepër, Avokati i Popullit vlerëson se ky ligj nuk e bart frymën e Aktgjykimit KO219/19, në kuptimin e parimit të ndarjes së pushteteve, kontrollit e balancimit mes tyre, në kuptimin e ruajtjes së pavarësisë së institucioneve të pavarura kushtetuese, në kuptimin e sundimit të ligjit, në veçanti parimin e barazisë para ligjit, si dhe në kuptimin e mbrojtjes të së drejtës së pronës të subjekteve në sektorin publik.” – thuhet në njoftim.”
Ulja e pagave në mënyrë arbitrare sipas këtij ligji, del të jetë ndër problemet kryesore të ligjit.
“Megjithatë, Avokati i Popullit, duke u bazuar në Aktgjykimin KO 219/19, sipas të cilit çdo ulje e pagave duhet të jetë e tillë që të mos e vërë barrën e shkurtimit të pagës vetëm te disa persona ose sektorë të caktuar të sektorit publik dhe se arsyet për ulje pagash duhet të jenë shumëfish më të qëndrueshme sesa arsyet për rritje pagash; nuk e konteston ligjin dhe shtojcat e tij në pjesët ku për sektorë të caktuar ka rritje pagash dhe ku është ndjekur një qëllim legjitim për rritje të tilla, por shpreh shqetësimin e tij për ulje pagash në mënyrë arbitrare, madje pa u plotësuar as kushtet e përcaktuara me vetë Ligjin e kontestuar, sipas të cilit pagat mund të ulen për shkak të një tronditjeje makroekonomike, e cila rezulton në zvogëlimin e të ardhurave, apo të një fatkeqësie natyrore, të shpallura zyrtarisht.
Për këto arsye dhe për ato të cilat Avokati i Popullit i ka argumentuar me rastin e trajtimit të ankesave dhe analizës së Ligjit të kontestuar, ia ka dërguar Gjykatës Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e përputhshmërisë me Kushtetutën të Ligjit të kontestuar.” – thuhet aty.
Avokati i PDK-së, Faton Fetahu, ka treguar se pse sipas tij, Kushtetuesja do ta anulojë këtë ligj.
Në një prononcim për gazetën Nacionale, ai ka thënë se për këtë çështje veçse ishte përgatitur që nëse Avokati i Popullit heziton, kjo të ndodh përmes deputetëve. Madje Fetahu ka thënë se do të dërgojë edhe komentet e tij në gjykatë.
“Nëse s’do ta bënte IAP, brenda afatit do ta dërgonin deputetët. Madje, rastin e kam përgatitur shumë javë më parë. Dje e sigurova edhe kërkesën e IAP të dërguar në Gjykatën Kushtetuese.” – ka thënë Fetahu.
Ai gjithashtu thotë se u nda i kënaqur për faktin se ky ligj u kontestua në Kushtetuese por jo edhe me cilësinë e parashtrimit të këtyre pretendimeve.
“E lexova dhe u zhgënjeva me cilësinë e parashtrimit të pretendimeve. Me argumentet gjysmake dhe periferike që ishin ngritur.Kritika ime koinsiston për cilësinë e kërkesës, e cila si tillë, lë shumë për të dëshiruar. Por, jam i bindur thellë që jo vetëm do pranohet për shqyrtim në merita por edhe do të konstatohen disa shkelje kushtetuese. Kjo, falë besnikërisë që ka gjykata ndaj vlerave e parimeve demokratike e ndaj jurisprudencës së vetë dhe asaj evopiane. Por, besoj shumë (në këtë rast) edhe ndaj komenteve dhe pretendimeve që do ti shkojnë nga palët e përfshira – përveç tjerësh – edhe nga grupi parlamentar i PDK, ku autori i këtyre rreshtave do të kujdeset për një gjë të tillë.”
Tutje Fetahu është shprehur i bindur se ky ligj nuk do të kaloj. Ai gjithashtu ka bër të ditur se PDK, do t’i kontestoj nenet e veçanta, por jo edhe ligjin në tërësi.
Kujtojmë se masën e përkohëshme për ta pezulluar ligjin, mund ta vendos edhe Gjykata Kushtetuese nëse e gjykon si të nevojshme./nacionale/