Viola von Cramon, raportuese për Kosovën në Parlamentit Evropian, i është gëzuar lajmit për liberalizim të vizave për kosovarët.
Sipas Von Cramon, BE nuk është shumë meritore për këtë sukses, por tha se Kosovës iu hoq regjimi i vizave si pasojë e punës së qeverive të ndryshme të vendit.
“Kuptohet që Bashkimi Evropian nuk ka aq shumë merita. Me shumë mundësi arritja erdhi nga qeveri të ndryshme, nga akterë të ndryshëm politik të cilët punuan dhe u siguruan që të gjitha kriteret të përmbushen”, ka deklaruar von Cramon për T7.
Megjithatë, eurodeputetja ka deklaruar se nuk do t’ia jepte meritat e liberalizimit një qeverie të caktuar. Ajo ka thënë se të gjitha qeveritë e kanë bërë punën e tyre.
“Kështu që nuk do t’i jepja merita vetëm për një qeveri të caktuar, por për të gjithë ata që kanë marrë pjesë”, ka theksuar ajo.
Tutje, sipas eurodeputetes, liberalizimi i vizave tashmë është punë e kryer, dhe se asgjë nuk mund ta zvarrisë procesin më tepër se janari i vitit të ardhshëm.