I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se ShBA-të do t’i njohin si legjitime zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore.
Sipas Escobar, vendimi i Listës Serbe për t’i bojkotuar zgjedhjet është vendim që u takon atyre, dhe se bojkotimi nuk i përcakton zgjedhjet, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Së pari, bojkotimi nuk përcakton zgjedhjet. Në fushatën zgjedhore në Serbi në 2019, opozita bojkotoi zgjedhjet. Dhe ne i bëmë thirrje që të marrë pjesë. Fakti që nuk mori pjesë, ishte zgjedhja e saj (opozitës). Dhe pas zgjedhjeve, ne njohëm qeverinë që u formua prej tyre. Në këto zgjedhje ne u kemi bërë thirrje dhe unë personalisht u kam kërkuar serbëve, Listës Serbe, që të marrin pjesë dhe të mos heqin dorë nga roli që kanë”, tha Escobar për Zërin e Amerikës.
“Fakti që nuk marrin pjesë, është vendimi i tyre. Por këto parashikohen nga Kushtetuta. Ka vende të paplotësuara. Ka njerëz që nuk po marrin shërbime nga pushteti lokal sepse nuk ka pjesëmarrje. Pra nëse këto zgjedhje janë të lira dhe të ndershme, dhe unë parashikoj që të jenë, rezultati do të jetë legjitim nga këndvështrimi ynë”, tha tutje.
Escobar ka shtuar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka ndikim në Listën Serbe, por që edhe ata kanë “arsyet” e tyre pse nuk duan të marrin pjesë.
“Unë do të thoja që nuk e përcakton ai përfundimisht nëse ata marrin pjesë ose jo. Sigurisht ai ka ndikim dhe është përpjekur ta përdorë atë ndikim. Por Lista Serbe ka këmbëngulur se ka arsyet e veta që nuk do që të marrë pjesë”, shtoi ai.
Të njëjtën deklaratë, emisari Escobar e bëri edhe të mërkurën në një adresim për mediumin serb Tanjug.
Ai deklaroi se me ose pa pjesëmarrjen e serbëve, ShBA do t’i njohë zgjedhjet në veri.
“I kam bërë apel serbëve që të marrin pjesë në zgjedhje. Kuptojmë shumë gjëra që ata i shohin si problematike, por sigurisht që duhet të marrin pjesë. Nëse ata nuk do të merrnin pjesë, kjo nuk do të thotë se ne nuk i mbështesim zgjedhjet. Qeveria e Kosovës ka obligim kushtetues. Do të ketë zgjedhje dhe ne do t’i njohim rezultatet dhe shpresojmë që serbët të kthehen në një moment”, tha Escobar.
Zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan do të mbahen me 23 prill.
Nga këto zgjedhje do të zgjidhen katër kryetarët e rinj të komunave dhe dy përbërje të reja të asambleve komunale.