Sipas të gjitha të dhënave që ekzistojnë nëpër institucionet kosovare, njerëzit më të goditur dhe që po e përjetojnë tash e një kohë të gjatë “në lëkurën e tyre” varfërinë e madhe të Kosovës, janë pensionistët.
Janë rreth 200 mijë veta bashkarisht, pensionistët me pension të pleqërisë, që në Kosovë ka vite është i ngurtësuar në 100 euro në muaj, dhe pensionistët që gëzojnë pensione në bazë të kontributëdhënies, pensioni i të cilëve sillet nga më pak se 200 deri në 265 euro maksimalisht.
Mehmet GJATA
Kosova, siç u njoftua këto ditë nga mediet, është renditur sërish nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) si shteti më i varfër i Evropës më 2023, bazuar në të ardhurat për frymë, që maten duke llogaritur fuqinë blerëse, një tregues real se sa vlerë ka paraja për banorët e një vendi.
Të ardhurat për kokë banori, sipas FMN-së, në Kosovën e renditur e fundit në Evropë, në këtë vit janë saktësisht 15.6 mijë dollarë ndërkombëtarë. Shqipëria, që FMN-ja në Pasqyrën Ekonomike Globale 2023, e ka ranguar të parafundit për nga varfëria, ka 19 mijë dollarë ndërkombëtarë për frymë, ndërsa ndër shtetet e rajonit, të vlerësuara thuaja të gjitha ende të varfëra nga FMN-ja, pasojnë: Bosnjë e Hercegovina me 19.6 mijë dollarë ndërkombëtarë, Maqedonia e Veriut me 21.1 mijë, Serbia me 25.4 dhe në krye të rajonit vijon të qëndrojë Mali i Zi me 27.6 mijë dollarë ndërkombëtarë.
Ndërsa, për të pasur një pasqyrë më të përafërt të domethënies së këtyre shifrave në varfërinë e një shteti, duhet bërë të ditur se mesatarja e Europës është gati 50 mijë dollarë ndërkombëtarë për kokë banori. Edhe treguesi tjetër direkt i përcaktimit të varfërisë së një vendi, ai i Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë, të cilin Kosova në këtë vit e ka 5.600 dollarë, e rendit të fundit Kosovën, ndërsa Shqipërinë me 7 mijë dollarë, si të parafundit.
Dhe, ç’është më keq, parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar shtrihen deri në vitin 2028, ku sërish si Kosova ashtu dhe Shqipëria, vlerësohet se do të vijojnë të mbeten më të varfrat e Europës. Dhe, sipas të gjitha të dhënave që defilojnë nëpër institucionet kosovare, njerëzit më të goditur dhe që po e përjetojnë tash e një kohë të gjatë “në lëkurën e tyre” varfërinë e madhe të Kosovës janë pensionistët. Janë rreth 200 mijë veta bashkarisht, pensionistët me pension të pleqërisë, që në Kosovë ka vite është i ngurtësuar në 100 euro në muaj, dhe pensionistët që gëzojnë pensione në bazë të kontributëdhënies, pensioni i të cilëve sillet nga më pak se 200 deri në 265 euro maksimalisht.
Pensionisti kosovar, nëse nuk ka ndihmë tjetër, qoftë nga familja e ngushtë, apo farefisi, nuk ka mundësi të përmbyllë muajin në asnjë mënyrë me të ardhurat nga pensioni i tij. Nuk ka mundësi të ushqehet asesi si duhet, nuk ka mundësi të blejë barnat e domosdoshme, nuk ka mundësi të pijë një kafe me kolegët, ndërsa për ndonjë pushim eventual as që mund të bëhet fjalë.
Me 100 euro pension (numri dërrmues i pensionistëve në Kosovë janë të kategorisë së të moshuarve, ose më saktësisht, diku rreth 149 mijë të tillë), thjesht nuk ia del, nuk ka asnjë mundësi të plotësojë as nevojat elementare asnjë pensionist.
M.V., një pensionist prishtinas, rreth të 70-tave, me dy fakultete të mbaruara, i disciplinuar pafundësisht në shpenzimin e parave të tija të pensionit, rrëfen për Buletinin Ekonomik: “ Për shkak se nuk i plotësova kriteret për ta fituar pensionin e kontributdhënësve, sipas ligjit që tashmë edhe Gjykata Kushtetuese e vërtetoi se ishte diskriminues, edhe pse kisha rreth 40 vjet stazh pune, jam futur në kategorinë e pensionistëve të pleqërisë, ose të atyre që përfitojnë si pension 100 euro në muaj. Jam i diagnostifikuar me diabet Tip 2, dhe për ta trajtuar vetëm pjesërisht këtë sëmundje përdorë barna shumë të reduktuara, vetëm ato të domosdoshmet. Një Metformin (bari i domosdoshëm për diabetikë) i llojit më të ri Gallvus M, 850 mg, që përmban 30 tableta, në barnatoret e kryeqytetit kushton nga 12.5 në 15 euro, ose një Gallvus, pa shkronjën M, por me 60 tableta kushton deri në 16-17 euro, varësisht nga farmacia. Një ilaç i thjeshtë prej 28-30 tabletash kundër tensionit të lartë, që po ashtu janë të domosdoshme për të moshuarit, kushton nga 2,5 në 3 edhe 4 euro. Ndërsa, një kontroll mjekësore për diabetikët, që po kështu ata duhet të bëjnë goxha shpesh, ka çmimin nga 20-30 euro”. “Ja ku shkoi mbi gjysma e pensionit”, thotë M.V., duke shtuar se “me gjysmën tjetër duhet të paguhen obligimet mujore për rrymën, ujin, bërllogun”.
Dhe, “siç po shihet, nga pensioni që përfitoj pas 40 vjetësh punë e kontribute për shtetin, nuk mbetet asnjë cent i vetëm për t’u ushqyer”, vazhdon i dëshpruar pensionisti.
Në gjendjen e mjerë të pensionistëve kosovarë janë përgjegjëse të gjitha qeveritë e deritashme të Kosovës, pa dallim. Asnjëra nuk qe në gjendje kurrë që të aplikojë politika të përgjegjshme sociale, dhe me to të trajtojë sado pak dinjitetshëm pensionistët e këtij vendi. Nuk bëri asgjë të vetme për pensionistët as Qeveria Kurti 2, sado që kryeministri aktual, gjatë fushatës së tij zgjedhore, kishte premtuar se Programi i tij qeverisës, që vitin e parë, do të përfshinte reforma për skemën pensionale edhe sociale. Por, Kurti jo vetëm që nuk solli ndonjë reformë të premtuar për skemën pensionale dhe sociale as pas pas dy vjetësh e më shumë qeverisjeje, por në periudhën e udhëheqjës së tij, si pasojë e krizës energjetike që përfshiu botën, dhe të luftës shkatërruese ruso-ukrainase si dhe pazotësisë së zyrëtarëve të vendit për t’u përballur me këto pasoja (ngritjen e shfrenuar të çmimeve), u përkeqësua edhe më tej mirëqenia edhe ashtu e mjerë e pensionistëve të Kosovës dhe u bë thuaja e pamundshme jeta normale e tyre.
Qeverisja aktuale nuk qe në gjendje të përballet me shpërthimin e çmimeve të të gjitha produkteve të nevojshme, e sidomos të produkteve elementare ushqimore që patën ndikim të fortë në katandisjen e gjendjes së pensionistëve të Kosovës. Rritja e çmimit të energjisë elektrike dy herë brenda 13 muajsh dhe rritja enorme e çmimeve të prodhimeve ushqimore (qumështit, produkteve të bylmetit, vezëve, sheqerit, bukës dhe prodhimeve nga drithërat), mbështeti për muri pensionistët e varfëruar së tepërmi në shtetin më të varfër të Europës. Kurse, shteti, për këtë katandisje të tyre, as që denjoi të preokupohet thuaja në asnjë rast të vetëm.
Thënë me fjalë të tjera, pensionistët e Kosovës vazhdojnë të anashkalohen nga shteti e pushteti, të mos trajtohen fare, as si qytetarë të margjinalizuar madje. Ata thjesht sikur nuk ekzistojnë fare në Kosovën aktuale, për të cilën, shumica e tyre, e dedikuan një jetë të tërë. Nuk është se nuk pati rritje rrogash në këta muaj për kategori të tjera të përfituesve nga shteti. Disa herë u rritën rrogat e shërbyesve civilë, të punonjësve të sistemit arsimor dhe shumë të tjerëve. Por, për pensionistët nuk pati dhe vazhdon të mos ketë asnjë vëmendje nga Qeveria, e as nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, as nga autoritete e zyrtarë të tjerë, të cilët duhet ta dijnë se në këtë shoqëri ka edhe të moshuar që me vite të tëra punuan për këtë vend dhe tani në pleqëri nuk kanë mjaftueshëm as për të ngrënë, as për t’u mjekuar, e mos të flasim për të kaluar pleqëri të dinjitetshme. Nuk iu bie ndërmend për ta as institucioneve të tjera që do duhej ta kenë detyrë dhe obligim përkujdesjen ndaj pensionistëve dhe trajtimin më njerëzor të tyre. Kjo ndodhë vetëm në Kosovë, askund tjetër në botë, as në Europë dhe as në rajon.
Kudo, edhe në vendet e varfëra, nuk margjinalizohen ata në këto përmasa, siç është bërë në vendin tonë në të gjitha vitet e pasluftës dhe nga të gjitha qeveritë. Dhe, heshtja dhe moskujtesa e institucioneve të vendit për pensionistët vazhdon. Shkoi edhe muaji prill i këtij viti dhe prap asnjë fjalë për pensionistët. Asnjë zë i vetëm nuk u dëgjua në këta muaj të 2023-tës, as nga përfaqësuesit e popullit në Kuvend, as nga opozita dhe krerët e saj, as nga prijësit e sindikalistëve të vendit, të cilët, së paku për obligim moral, do të duhej ta ngrenin zërin një herë të vetme për gjithë këtë injorim dhe mospërfillje totale ndaj brengave të pensionistëve të Kosovës. Por, këta të gjithë të lartëpërmendurit, edhe përfaqësuesit e popullit, edhe krerët e opozitës edhe prijësit e sindikalistëve, nuk lanë rast, madje lanë nam me agresivitetin e tyre, gjatë insistimeve të parreshtura dhe të pamata fare për përcaktimin e koeficientit të pagave të tyre në Ligjin e Pagave.
Nuk shquhen me ndonjë gjendje kushedi çfare as vendet e rajonit, por të cilat, thuaja vazhdimisht, sidomos pas krizave të shkaktuara nga pandemia dhe ngritja e çmimeve, kanë ngritur pensionet, kanë ndarë mjete e donacione të ndryshme për pensionistë. Disa herë në muajt e fundit kanë ngritur pensionet Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina, Serbia e edhe Shqipëria.
Maqedonia e Veriut, sipas medieve, për 330.000 pensionistët e vet do të ketë pensione më të mëdha sërish nga muaji mars. Me pensionin e marsit, siç sqarojnë zyrtarë të këtij vendi, pason një rritje e pensioneve me 8.4 për qind. Për vetëm një vit, përkatësisht nga marsi 2022 deri në mars 2023, në Maqedoninë e Veriut janë rritur pensionet për 18 për qind. Siç raportohet nga vendi fqinj, pensionet korrigjohen dy herë në vit, me rritjen e kostos së jetesës dhe rritjen e pagës mesatare, që pastaj sigurohet edhe rritje e vazhdueshme e të hyrave pensionale. Në Kosovë, nuk po del të ketë kush të përkujdeset për pensionistët, s’ka rritje pensionesh, s’ka vëmendje fare për ta, por ka rritje çmimesh të produkteve elementare ushqimore, rritje çmimi të energjisë elektrike, paralajmërime për çmime të reja të ngritura, ndër to edhe të bukës, ka inflacion dhe vazhdon katandisja e mirëqenies së të moshuarve tonë.