Agjencia e Statistikave të Kosovës, ka publikuar Statistikat e Mirëqenies Sociale, duke paraqitur të dhëna për numrin e përfituesve nga disa skema sociale për muajin mars 2023.
ASK ka bërë të ditur se pas rezultateve të dala rezulton se gjatë muajit mars nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 21 mijë e 948 familje, gjithsej 86 mijë e 945 anëtarë, dhe nga skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të veçanta kanë përfituar 3 mijë e 88 familje.
Tutja në njoftim është bërë e ditur se nga skema e pensioneve bazike të moshës janë 137 mijë e 103 përfitues, nga skema e pensioneve kontributpaguese të moshës janë 44 mijë e 339 përfitues, nga skema për veteranët e luftës janë 36 mijë e 826 përfitues, nga skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara janë 17 mijë e 966 përfitues, nga skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës janë 13 mijë e 027 përfitues.
“Nga skema për pensionet familjare janë 3 195 përfitues; nga skema për pensionet e personave paraplegjik dhe tetraplegjik janë 2 693 përfitues; nga skema e kompensimeve për personat e verbër janë 1 760 përfitues; nga skema për pensionet e Trepçës janë 1 628 përfitues; nga skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) janë 1 289 përfitues; nga skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës janë 716 përfitues; dhe nga skema për pensionet invalidore janë 56 përfitues”, thuhet në njoftim.