Javën e ardhshme pritet të dalë për shqyrtim në lexim të dytë në komisione parlamentare, Projektligji për pagën minimale. Ndonëse shqyrtimi i parë është bërë rreth një vit më parë, Qeveria nuk ka adresuar në këtë dokument kërkesat e veteranëve të UÇK-së dhe të kategorive të tjera. PDK-ja e AAK-ja kanë bërë gati disa amendamente, e veteranët paralajmëruan protesta masive nëse deri në shqyrtimin përfundimtar të projektligjit nuk reflekton Qeveria
Qeveria nuk ka hartuar asnjë amendament për Projektligjin për pagën minimale, i cili javën e ardhshme do të nisë së shqyrtuari në lexim të dytë, pas gati një viti prej kur është miratuar në parim.
Shqyrtimi i këtij dokumenti u pezullua nën arsyetimin se po synohej konsensusi veçmas me veteranët e UÇK-së, që projektligji nuk ua garanton pensionin në masën e pagës minimale.
Në Vetëvendosje thonë se qëllimi i kësaj partie që udhëheq me Qeverinë është që paga minimale të votohet ashtu siç është propozuar, ndërsa çështja e veteranëve dhe pensioni i tyre të rregullohet me ligj të veçantë.
“Ne jemi të interesuar që Ligjin për veteranët, për vlerat e luftës, për invalidët ta amendamentojmë dhe ta bëjmë një ligj si duhet, për shkak se vlera monetare apo kontributi i veteranit të lidhet me pagën minimale, është edhe një lloj nënçmimi”, ka thënë Enver Dugolli, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje. “Veterani, luftëtari meriton më shumë. Meriton më dinjitetshëm të trajtohet”.
Por, amendamente kanë dorëzuar në Kuvend dy parti opozitare, Partia Demokratike (PDK) tri dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dy.
Në amendamentet e saj, PDK-ja kërkon që të fshihen nga projektligji nenet me të cilat përjashtohen nga përfitimi i pagës minimale kategoria e veteranëve të luftës, paraplegjikëve, tetraplegjikëve dhe personave të verbër.
Amendamenti i parë është ai për veteranët.
“Propozimi që neni 2 i projektligjit të fshihet është i domosdoshëm për faktin se përjashtimi i veteranëve të luftës së UÇK-së nga paga minimale, e cila do të përcaktohet sipas kushteve që i përcakton ky projektligj, është jo vetëm i papranueshëm, por edhe diskriminues, sepse përveç të tjerash pensioni i tyre është i përcaktuar me Ligjin bazik të pensioneve”, thuhet në arsyetimin e amendamentit. “Propozimi që deri në kategorizimin përfundimtar të listës së veteranit, luftëtar të UÇK-së, Qeveria e Republikës së Kosovës, me propozimin e Ministrisë përgjegjëse për Financa, të vendosë për lartësinë e shumës së pensioneve të përcaktuara me këtë ligj, varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetesës dhe inflacioni eventual, është kusht diskriminues, pasi që edhe ligji që rregullon pensionin bazë, një kusht të tillë e ka përcaktuar shprehimisht, por pa u cenuar e drejta në pension e rregulluar sipas ligjit bazë si një e drejtë themelore, e cila përmban një detyrim financiar minimal të shtetit si një kategori e cenueshme”.
Në këtë arsyetim, që mban firmën e kryetarit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, theksohet se ndërlidhja e çështjes së kategorizimit përfundimtar të listës së veteranëve me të drejtën ligjore në pagesë të pensionit ekuivalentë me pagën minimale, nuk ka asnjë bazë arsyetimi, përveçse paraqet trajtim diskriminues.
Projektligji aktual përmban dispozitën, që ka nxitur kundërshti dhe e cila ka këtë përmbajtje: “Deri në kategorizimin përfundimtar të listës s veteranit, luftëtar të UÇK-së, Qeveria e Republikës së Kosovës, me propozimin e Ministrisë përgjegjëse për Financa, vendos për lartësinë e shumës së pensioneve të përcaktuara me këtë ligj, varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetës dhe inflacioni eventual”.
Në njërin amendament të AAK-së kërkohet që kjo përmbajtje të ndryshohet, e në tjetrin propozohet që vlera e kësaj page të jetë 370 euro neto.
“Deri në kategorizimin përfundimtar të listës së veteranit, luftëtar të UÇK-së, pensioni i veteranit luftëtar të UÇK-së, të jetë i barasvlefshëm me pagën minimale”, thuhet në amendamentin e AAK-së, të dërguar nga deputeti Bekë Berisha.
“Qeveria e Republikës së Kosovës në fund të çdo viti kalendarik përcakton pagën minimale sipas propozimit të Këshillit ekonomiko-social. Në mungesë të një propozimi të tillë nga Këshilli ekonomiko-social, të përcaktohet paga minimale në vlerën prej 370 eurosh neto për këtë vit kalendarik”, thuhet në amendamentin tjetër, të përgatitur nga deputeti Pal Lekaj.
E, në organizatat e dala nga lufta paralajmëruan protesta masive nëse deri në shqyrtimin përfundimtar të projektligjit nuk reflekton Qeveria.
“Ne u bëjmë thirrje edhe Komisionit, edhe kësaj Qeverie që t’i respektojë ligjet në fuqi dhe në asnjë mënyrë të mos i largojë nga këto benefite veteranët e UÇK-së dhe kategoritë e dala nga lufta në përgjithësi. Në të kundërtën reagimi ynë do të jetë në radhë të parë në formë të protestave dhe nuk do të lejojmë të shkelet më tutje në dinjitetin e veteranit”, ka thënë Xhavit Jashari, përfaqësues i organizatave të dala nga lufta.
Nëpërmjet projektligjit të sponsorizuar nga Qeveria, paga minimale është propozuar të rritet nga 170 euro, sa është aktualisht, në 264 euro. Koha.Net.