Ecja nëpër rrugët e qyteteve të Kosovës është shndërruar në sport ekstrem për vajzat dhe gratë.
Kjo për shkak të mungesës së sigurisë pasi që ato gjatë kohës që lëvizin vetëm nëpër qytete, vazhdimisht hasin në persona të dyshimtë të cilët i ngacmojnë ato e për më tepër marrin guximin edhe t’i sulmojnë dhe dhunojnë seksualisht.
Një rast i tillë tronditës ka ndodhur sot rreth orës 15:00 në Istog, ku një vajzë e mitur dyshohet se është ngacmuar nga një burrë.
Sinjali mëson se ngjarja ka ndodhur përgjatë rrugës ‘Rinia’, ku 28-vjeçari ka ndjekur nga pas me veturën e tij vajzën e mitur duke e ngacmuar me fjalë dhe duke i kërkuar që të flasë e të bëjë foto me të.
Përballë kësaj situate, e frikësuar dhe e shqetësuar tej mase, vajza ka vazhduar rrugën e më pas ka hyrë brenda një lokali, ku ka arritur që të telefonojë dhe të kërkojë ndihmën e Policisë.
Ajo është intervistuar nga hetuesit policorë, ndërkaq janë marrë edhe pamjet nga kamerat e sigurisë që monitorojnë atë zonë. Përmes kësaj është arritur që të identifikohet targat dhe personi i dyshuar.
I dyshuari fillimisht nuk është gjetur në shtëpinë e tij, por më vonë i njëjti është paraqitur vetë në stacion policor.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj 28-vjeçarit të iniciohet rasti ‘Ngacmim’ dhe i njëjti të dërgohet në mbajtje për 48 orë.