Nuk dihet ende nëse fëmijët të hënën do të ulen në bankat shkollore.
Kjo, për shkak se greva është duke vazhduar, dhe deri në plotësimin e kërkesave të SBAShK-ut nga ana e Qeverisë sindikatat nuk do të zbrapsen.
Kështu, ka thënë kryetar i Këshillit grevist të BSPK-së, njëherit kryetar i SBAShK-ut, Rrahman Jashraj.
“Gjithçka i mbetet anëtarësisë të vendosë dhe unë nuk jam në gjendje dhe nuk e kam atë autorizim se çka do të ndodhë në javën e ardhshme. Jemi në komunikim të vazhdueshem dhe se çfarë do të ndodhë për momentin e them se është grevë dhe pa dialog të mirëfilltë kam frikë se situata do të mbetet e tillë. I mbetet anëtarësisë të vendosë”, është shprehur Jasharaj.
Ndërsa, ka thënë se uron që kjo fundjavë të mos jetë ditë pushimi as për ta e as për Qeverinë.
“Urojmë që ky vikend të mos jetë i pushimit as për ne e as për Qeverinë, por që të ulemi e të bisedojmë ne mënyrë që ta gjejmë një zgjidhje për ta tejkaluar këtë situatë, çfarë do të ndodhë nga e hëna e tutje i mbetet të vendosë anëtarësia e SBAShK-ut dhe grevistët tjerë që janë në grevë”, ka thënë Jasharaj për FrontOnlie.