Deklaratën e fundit të Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, se grevistët e arsimit dhe qeveria janë përafruar drejt një marrëveshjeje, dhe kjo mund të arrihet nesër, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj e ka quajtur “deklaratë të ngutshme e entuziazëm të shtuar”.
Jasharaj në një prononcim për Indeksonline uron që Qeveria ti ketë thënë Avokatit të Popullit se i plotëson kërkesat e grevistëve. Megjithatë siç thotë ai, deri në këto momente nuk kanë pranuar asnjë ftesë për takim nesër.
“Është një entuziazëm i theksuar i Avokatit të Popullit, mirëpo BSPK sot i ka bërë një shkresë dhe i ka thënë gjërat e veta. Uroj që deklarata e tij opitimiste ka të bëjë me Qeverinë e cila mbase ka bërë lëvizje pozitive. Nga ana tjetër ne si BSPK i kemi dërguar letër dhe i kemi ripërsëritur kërkesat tona. Uroj që Qeveria ti ketë thënë Avokatit të Popullit se po i plotëson kërkesat tona dhe ne do të jemi shumë të lumtur dhe do ta falënderojmë avokatin, mirëpo nëse ai këto i thotë nga entuziazmi atëherë është diçka tjetër.
Se marrëveshja do të nënshkruhet nesër, siç po thotë ai, është një entuziazëm i tij i shtuar. Ne do të bisedojmë, ne kemi çdo mbrëmje takime me anëtarësinë dhe nga shkresa e tij që na është drejtuar neve, nuk jep shumë shpresë që do të jep marrëveshje, mund të ketë takime nesër, por çdo ofertë që e marrim nga Qeveria ne do ta debatojmë me anëtarësinë dhe tek pastaj do të jetë çdogjë në rregull. Ngutitë e deklaratave se nesër do të ketë marrëveshje, besoj janë të ngutshme, ngase edhe nëse arrihet do të ketë përafrime nesër, ne do ta komunikojmë me anëtarësinë dhe pastaj anëtarësia ka vendosur për grevë dhe ajo është që do ti thotë po ndonjë marrëveshjeje eventuale”, thotë Jasharaj.
Kreu i SBASHK-ut thotë se marrëveshje ka, veç nëse Qeveria ia plotëson të gjitha kërkesat e tyre.
“Deri në këtë moment, nuk është planifikuar asnjë takim. Nuk kemi marrë asnjë ftesë për takim qoftë nga Avokati si ndërmjetësues qoftë nga Qeveria.
Deklarimet emocionale të Avokatit të Popullit, uroj që Qeveria ti ketë kthyer ndonjë letër ku i garanton se do të ketë arritje të marrëveshjes. Uroj që Qeveria të ketë lëvizur pozitivisht.
Marrëveshje nesër mund të ketë veç nëse Qeveria i ka thënë po kërkesave tona, dhe jo një kërkese por të gjitha kërkesave që i kemi bërë publike. E përafrim do të thotë nëse Qeveria ka lëvizur nga ai 50-shi i famshëm të cilin tani e 3 javë anëtarësia i ka thënë jo. Ne veprojmë sipas zërit të anëtarësisë”, thekson ai./