Abdixhiku në Zvicër: Mërgata jonë pasuria më e madhe e vendit

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka shkuar në Cyrih me rastin e 33-vjetorit të themelimit të degës së këtij subjekti në Zvicër.

Ai tha se 33 vite më parë kur u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës si rezultat i thirrjes për reflektim ndaj vuajtjeve e përpjekjeve historike të popullit kosovar, ku ishin renditur veprimtarë të shquar të kohës të cilëve iu printe presidenti historik Ibrahim Rugova, iu bashkuan edhe shqiptarët në diasporë të cilët u bënë shtyllë historike e çdo procesi zhvillimor në Kosovë.

“Angazhimi i juaj, gjatë viteve të 90-ta, është shembull mobilizimi e ideali. Për këtë angazhim, Kosova, atdheu i juaj, gjeneratat e sotme e të ardhme që do të vijnë; do të jenë mirënjohës përherë. Asnjë mërgatë, e asnjë vendi tjetër – në gjithë historinë moderne të kontinentit tonë, nuk mund të arrijë standardin e venë nga ju”, ka thënë Abdixhiku.

Abdixhiku duke folur për rrugëtimin historik të LDK-së dhe vetë Kosovës ka thënë: “teksa shënojmë këtë rrugëtim historik, e kemi të qartë para vetës madhështinë e këtij organizmi politik. Një rrugëtim që as nuk mund të përsëritet e as të arrihet nga askush. Një rrugëtim që solli lirinë, pavarësinë dhe vet demokracinë. Në këtë rrugëtim tonin historik, gjejmë dhe vogëlsinë e kundërshtarëve historik – kundërshtarë të vjetër e të rinj pa dallim – që s’reshtin e që s’pushojnë së përbalturi lëvizjen më të madhe të shqiptarëve të Kosovës në gjithë historinë. Këtë përbaltje të tyre duhet ta kapërcejmë, jo duke u bërë si ta, sepse nuk jemi si ta, por duke gjetur e rigjetur njëri-tjetrin e duke ruajtur origjinalitetin tonë identitar e veprues.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *