Një ngatërresë mes disa personave ka ndodhur të enjten në rrugën “Gani Kelmendi” të Pejës, në orët e mbrëmjes.
Në këtë përleshje, motivet e së cilës ende nuk dihen, Sinjali ka mësuar se janë përfshirë babë e bir në njërën anë dhe dy persona të tjerë, familjarë mes vete, në anën tjetër.
Sipas informacioneve të para, mosmarrëveshja mes tyre ka eskaluar në përdorim të mjeteve si shkop druri, me ç’rast i dyshuari kryesor ka goditur dy viktimat, duke iu shkaktuar lëndime trupore. Për pasojë, ata kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Emergjencë.
Burimet e Sinjalit kanë njoftuar se Policia është njoftuar për rastin dhe një patrullë policore ka dalë në vendin e ngjarjes, ku janë hasur palët e përfshira.
Babai, i dyshuari kryesor i rastit bashkë me të birin janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre në lidhje me ngjarjen.
Lidhur me rastin, Sinjali mëson se është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit i cili pas përfundimit të procedurave policore, ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit kryesor për 48 orë.