Synimi që ndryshimet klimatike të mos lejohen të shkaktojnë ndryshime të temperaturës mbi 1.5 gradë Celsius në krahasim me kohën para-industriale është duke u bërë i paarritshëm, thonë ekspertë të ambientit.
Ata shprehen të shqetësuar që shtetet nuk kanë arritur të vendosin caqe ambicioze për klimën, pavarësisht se janë shënuar temperatura rekorde në tokë dhe det.
Teksa përfaqësues të shumë vendeve u mblodhën në Bon të Gjermanisë në fillim të Gjermanisë për t’u përgatitur për negociatat vjetore për klimën, që do të mbahen në nëntor, temperaturat mesatare globale të ajrit ishin, për disa ditë rresht, mbi 1.5 gradë Celsius më të larta se temperaturat e kohës para-industriale, tha Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike Copernicus (C3S) i financuar nga Bashkimi Evropian.
Megjithëse temperaturat mesatare kishin kaluar përkohësisht pragun prej 1.5 gradëve Celsius edhe në të kaluarën, kjo është hera e parë që ky ndryshim është regjistruar gjatë periudhës së verës në hemisferës veriore të Tokës. Temperaturat në dete gjithashtu thyen rekordet e prillit dhe majit.
“Neve na ka mbaruar koha sepse edhe ndryshimi kërkon kohë”, tha Sarah Perkins-Kirkpatrick, një klimatologe në Universitetin Australian të Uellsit të Ri Jugor.
Përderisa të dërguarit e dy shteteve që emetojnë më së shumti gazra serrë, SHBA-së dhe Kinës, përgatiten të takohen muajin e ardhshëm, rekordet për temperaturat më të larta gjatë muajit qershor u thyen në kryeqytetin kinez, Pekin, ndërsa valët ekstreme të të nxehtit kanë goditur Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pjesë të Amerikës së Veriut ishin rreth 10 gradë Celsius mbi mesataren sezonale në qershor dhe tymi nga zjarret e pyjeve mbuloi Kanadanë dhe bregun lindor të SHBA-së. Emetimet e karbonit vlerësohet se arritën një rekord prej 160 milionë tonë metrikë.