Banka Qendrore e Kosovës ka njoftuar se nga data 1 gusht do të hyjë në fuqi rregullorja e re për banka, ku shërbimet bazike do të ofrohen pa pagesë.
Në njoftimin e bërë për media thuhet se, Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës më 20 dhjetor 2022 ka miratuar Rregulloren për qasjen në llogari pagese me shërbime bazike e cila hyn në fuqi më 1 gusht 2023, me përjashtim të nenit 5 paragrafit 4 i cili hyn në fuqi më 1 janar 2024, transmeton Telegrafi.
“Rregullorja për qasjen në llogari pagese me shërbime bazike ka për qëllim të përcaktojë kushtet për qasjen e konsumatorëve në llogari pagese me shërbime bazike”, thuhet në njoftim.
Qëllimi i BQK-së, është që përmes kësaj Rregulloreje, t’ju mundësojë të gjithë qytetarëve të marrin përfitimet që sjellë tregu financiar, të kontribuojë në rritjen e përfshirjes financiare, si dhe të nxitë pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve në sektorin financiar.
Siç thuhet në njoftim, rregullorja është hartuar me qëllim të harmonizimit të legjislacionit të BQK-së me direktivat e BE-së, në këtë rast me Direktivën e BE-së 2014/92/EU.
“Rregullorja u mundëson të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa marrë parasysh rrethanat financiare të tyre, statusin e punësimit apo nivelin e të ardhurave, që të mund të kenë qasje në llogari pagese me shërbime bazike.
Rregullorja për qasjen në llogari pagese me shërbime bazike aplikohet për të gjitha bankat dhe degët e bankave të huaja të licencuara nga BQK-ja, që veprojnë në Republikën e Kosovës. Të gjitha bankat që operojnë në Kosovë do t’ju ofrojnë qasje në llogari pagese me shërbime bazike të gjithë qytetarëve të Kosovës”, bëhet e ditur në njoftimin e bërë nga BQK.
Llogaria e pagesave me shërbime bazike përfshin të paktën shërbimet si në vijim:
1. shërbimet që mundësojnë të gjitha operacionet e kërkuara për hapjen, operimin dhe mbylljen e një llogarie pagese;
2. shërbimet që mundësojnë deponimin e fondeve në llogari pagese, siç është përcaktuar në shtojcën 1 të Rregullores për qasjen në llogari pagese me shërbime bazike;
3. shërbimet që lejojnë tërheqjen e parave nga llogaria e pagesës, siç është përcaktuar në shtojcën 1 të Rregullores për qasjen në llogari pagese me shërbime bazike.
4. Ekzekutimin e transaksioneve të mëposhtme të pagesave:
4.1. debitimin direkt;
4.2. transaksionet e pagesave përmes një kartele, përfshirë pagesat në internet;
4.3. transferet e kreditit brenda bankës, duke përfshirë urdhëresat automatike, aty ku është e mundur në bankomatë (ATM), dhe në sportelet e bankës ose përmes platformave online;
Rregullorja për qasjen në llogari pagese me shërbime bazike përcakton:
– kushtet për t’u qasur në llogari pagese me shërbime bazike,
– karakteristikat e llogarive të pagesave me shërbime bazike,
– tarifat në lidhje me ofrimin e llogarisë së pagesës me shërbime bazike,
– grupin e konsumatorëve të cenueshëm e që përfitojnë shërbimet që ofron llogaria pagese me shërbime bazike pa pagesë
– obligimin e bankave për informim të klientëve në lidhje me ofrimin e llogarisë së pagesës me shërbime bazike, si dhe
– mënyrën e konvertimit të llogarive aktuale në llogari pagese me shërbime bazike.
BQK thekson tutje se, rregullorja gjithashtu përcakton që bankat do të ofrojnë shërbimet e përcaktuara në nenin 4, paragrafin 1, të kësaj Rregulloreje pa pagesë ose me një tarifë të arsyeshme mujore, nëse ato e parashikojnë këtë tarifë në politikat e tyre të brendshme për përcaktimin e tarifave.
“Vlera e arsyeshme e kompensimit sipas paragrafit 1 të këtij neni nuk mund të jetë më e lartë se 0,12%, e vlerës së pagës mesatare neto mujore në Republikën e Kosovës (apo 0.53 €), e publikuar më së fundmi nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Kjo vlerë do të ndryshojë, bazuar në të dhënat e fundit vjetore të publikuara nga ASK.
Gjithashtu, bankat ofrojnë të gjitha shërbimet e parashikuara në nenin 4, paragrafi 1 të kësaj Rregulloreje, pa pagesë, për kategoritë e konsumatorëve që i përkasin grupit të konsumatorëve të cenueshëm, që përfitojnë nga të drejtat e parashikuara me legjislacionin që rregullon pensionet dhe asistencën sociale në Republikën e Kosovës, të konfirmuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (apo ministria pasardhëse)”, vijon njoftimi.
Sipas nenit 5 paragrafi 4, te rregullores, i cili hyn në fuqi më 1 janar 2024, grup i konsumatorëve të cenueshëm konsiderohen grupet të cilët përfitojnë:
1. Pensione:
• Pensioni bazë;
• Pensioni kontribut pagues;
• Pensioni për persona me aftësi të kufizuar të rritur;
• Pensioni për persona me aftësi të kufizuar paraplegjik dhe tetraplegjik;
• Pensioni për persona me aftësi të kufizuar – fëmijë; Pensionet e parakohshme të kompleksit Trepça;
• Pensionet e pjesëtareve të TMK-së; Pensioni i forcës së sigurisë FSK-së;
• Kompensimi për të verbër;
• Pensioni familjar;
• Pensioni i invalidëve të punës;
• Pensioni i familjareve të dëshmorëve;
• Pensioni i invalidëve të luftës;
• Pensioni i viktimave civile;
• Pensioni i invalidëve civilë;
• Pensioni i të zhdukurve të luftës;
• Pensioni i veteranit luftëtar të UÇK-së;
2. Ndihma sociale;
3. Grupet tjera të cenueshme që mund të parashihen me legjislacion në Republikën e Kosovës; të konfirmuara nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.
Po ashtu bazuar edhe në vendimin e Gjykatës Komerciale e cila në vendimin e datës 24 korrik 2023, e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e bankave për të shtyrë ekzekutimin e rregullores se re të BQK-së, e cila bankat i obligon që të hapin llogari pagese me shërbime bazike për qytetarët e Kosovës duke filluar nga data 1 gusht 2023.
Me këtë rast Gjykata Komerciale i ka dhënë të drejtë BQK-së për Rregulloren përkatëse të aprovuar më parë e cila me hyrjen në fuqi do të jetë në funksion të rritjes së gjithpërfshirjes financiare, si dhe në dobinë e përfshirjes së vet konsumatorëve në këto shërbime me kosto më të ulëta për gjithë qytetarët e Kosovës.