Një plan për vrasjen e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, ka ekzistuar në vitin 2021.
Kështu po thotë një dokument i siguruar nga Klankosova.tv i Njësisë Kundër Terrorizmit të Policisë së Kosovës.
E bashkë me të planifikohej antentat edhe ndaj Ismet Haxhës, ish-anëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës dhe i afërm i Kadri Veselit, si dhe Xhavit Haliti, ish-deputet dhe anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës.
Sipas dokumentit i dyshuar është Prek Kodra, shtetas shqiptar.
Në dokumentin e Njësisë Kundër Terrorizmit theksohet se ai ka aftësi të mira në përdorimin e snajperëve.
Kodra dyshohet se është përfshirë në disa vrasje në Kosovë dhe Mal të Zi. Ndërkohë, Kodra dyshohet se jeton në Shkodër, ndërsa vepron në Tropojë, Ferizaj dhe Deçan të Kosovës.
Sipas Policisë Shqiptare, ky person është me precedent penal dhe është hetuar për vrasje me paramendim dhe mbajtje pa leje të armëve të gjahut.Ai u shpall në kërkim në vitin 2016, ndërsa pas kontrolleve në banesë iu gjetën dy armë gjahu dhe 90 fishekë. Në shtator të vitit të kaluar u pezullua urdhri i kërkimit, ndërsa konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë.
Sipas informacioneve të Njësisë Kundër Terrorizmit, objektivi i parë do të ishte Ismet Haxha.Objektivi i dytë ishte Xhavit Haliti, i cili do të vritej një muaj pas Haxhës për t’u dukur si hakmarrje.
Më pas, do të vritej edhe kryeministri Albin Kurti. Sipas informacioneve, qëllimi i këtyre atentateve është destabilizimi i Kosovës.Po ashtu, në dokument theksohet se të tre atentatet do të kryheshin në katër muajt e ardhshëm.