Deputeti Fatmir Humolli ka treguar arsyet të cilat e larguan nga grupi parlamentar i VV-së.
Ai thotë se pati dy kërkesa për kryeministrin Albin Kurti para zgjedhjeve, në kohën kur aderoi në VV.
Humolli tash është deputet i pavarur në Kuvend dhe nuk i është bashkuar asnjë subjekti tjetër.
Ai thotë se janë dy kushte që nuk u plotësuan dhe e detyruan të largohet. E para është një premtim që pati për investime në prodhime në fshatra. E dyta është acarimi brenda shoqërisë.
“Kam kërkuar 1000 fshatra prodhuese. Duhet të kreditohen por që shteti duhet të paguajë interesin që të mos ketë humbje. Kështu do të punësoheshin 16 mijë persona”, tha ai.“Nuk ka qenë marrëveshje me shkrim. Me vajtu publikisht marrëveshjen nuk çon peshë për mu. Nuk luan rol. Ai nuk më ka thënë se nuk bën. Futemi në kredi prej bankave dhe jemi në marrëdhënie me ta. Interesin ua paguajmë ne”, shtoi Humolli.
Ai shton se acarimet në shoqëri kanë mundur të evitohen dhe se grupet e ndryshme kanë pritur shumë nga VV dhe sjellja me arrogancë ka qenë e panevojshme.“Kërkesa e dytë ka qenë që të mos krijohen acarime në shoqërinë tonë. Të mos ketë konflikte. Kam thënë se arroganca dhe vendosmëria nuk kanë të përbashkët asgjë. Mund të jesh i vendosur, por jo arrogant. Qeveria është sjellë me arrogancë me mekanizmat që ndërtojnë shoqërinë tonë. E kemi çështjen e veteranëve. Na ka futur në konflikt. Për shembull mua, më ka futur në konflikt me shumë persona bashkë me të cilët kam luftuar. Konflikti me veteranët ka qenë i panevojshëm. Me punëtorët e arsimit ka qenë i panevojshëm. Edhe me punëtorët e sektorëve të ndryshme. Këto grupe kanë pritur nga VV-ja”, përfundoi ai.