Notice: Function _load_textdomain_just_in_time was called incorrectly. Translation loading for the wordpress-seo domain was triggered too early. This is usually an indicator for some code in the plugin or theme running too early. Translations should be loaded at the init action or later. Please see Debugging in WordPress for more information. (This message was added in version 6.7.0.) in /home/frontqym/public_html/wp-includes/functions.php on line 6114
Dorëheqjet masive të serbëve: Si do të mbahet rendi dhe ligji në Veri? -

Dorëheqjet masive të serbëve: Si do të mbahet rendi dhe ligji në Veri?

U dorëhoqën deputetët. Edhe policët. Ditën e sotme dorëheqjen e kanë dorëzuar edhe gjyqtarët në Gjykatën e Mitrovicës. E Prokurorët serbë, sot nuk kanë dalur në vendet e tyre të punës. Në këtë situatë, si do të mbahet rendi dhe ligji në Veriun e Kosovës? Gazeta Nacionale sjell detaje.

Numri i saktë nuk dihet. Megjithatë, sipas mediave serbe, më shumë se 300 policë serbë kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre nga Policia e Kosovës. Sot është bërë edhe dorëzimi i armëve. Krejt kjo në mënyrë të organizuar.

Dorëheqjet i kanë dorëzuar po sot edhe gjyqtarët e stafi administrativ në Gjykatën e Mitrovicës. Madje, disa nga ta thanë se nuk do të kthehen kurrë në sistemin e drejtësisë të Kosovës.

Në anën tjetër, prokurorët dhe stafi mbështetës serbë në Prokurorinë e Mitrovicës deri më tash nuk i kanë dorëzuar dorëheqjet. Megjithatë, ata sot nuk kanë dalur në vendet e tyre të punës, ka konfirmuar për Nacionalen zëdhënësi i Prokurorisë së Mitrovicës, Valon Preteni.

Si do të mbahet rendi në veri?
Jozyrtarisht është raportuar se Policia tashmë ka kaluar në orarin e punës 12-orësh. Kjo për të zëvendësuar largimet e policëve serbë në pjesën veriore të Kosovës.

Sheremet Ahmeti ish-drejtor i Policisë së Kosovës, ka thënë për gazetën Nacionale se Policia duhet të hartojë një plan në mënyrë që të menaxhohet kjo situatë. Megjithatë, ai u shpreh i bindur se Policia e Kosovës ka kapacitete të ofrojë siguri edhe në këso momente.

“Të gjitha nevojat në stacionet policore, i mbulon Policia e Kosovës. Pavarësisht telasheve, Policia e ka për obligim, por është punë dhe detyrë e zyrtarëve policorë. Në raste të tilla kalojnë në orarin 12-orësh dhe është në shërbim të qytetarëve në çdo pjesë të vendit dhe kudo që janë. Unë besoj që Policia e Kosovës mund dhe do t’i menaxhojë tensionet dhe çfarëdo situate, në rrethana të tilla është e përgatitur dhe trajnuar”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti ka sqaruar edhe procedurat që duhet të ndjekin policët nëse duan të rikthehen në pozitat e tyre. Edhe pse, në një situatë të tillë, po del se nuk ka shumë mundësi për rikthim.

Tash është çështje e Njësisë për Standarde Profesionale ajo i trajton ato, pastaj IPK-ja, janë procedurat që e tregojnë se si duhet të veprohet në rrethana të tilla. Nëse vullnetarisht janë larguar, nuk ka nevojë për ndonjë procedurë, sepse e kanë nënshkruar që vetë po largohen, dhe nuk udhëhiqet procedurë, s’ka pse”, theksoi Sheremet Ahmeti për gazetën Nacionale.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka ndërmarrë të gjitha masat për menaxhimin e situatës së sigurisë në gjithë vendin. Policët serbë që kanë dorëzuar dorëheqjen janë ata të pikave kufitare, policët kufitarë, dhe një pjesëtar i Njësisë Speciale.

Si do të funksionojnë Gjykatat e Prokuroria?
Dorëheqjen e kanë ofruar edhe gjyqtarët serbë bashkë me stafin administrativ. Numri i atyre që kanë dhënë dorëheqje nga Gjykata e Mitrovicës shkon në gati 150 persona.

Në anën tjetër, në Prokurorinë e Mitrovicës nuk ka pasur ndonjë dorëzim të dorëheqjes. Megjithatë, prokurorët dhe anëtarët e tjerë serbë, sot nuk kanë dalur nëpër vendet e tyre të punës. Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka 19 prokurorë dhe 65 punëtorë staf mbështetës. Nga ta janë 10 prokurorë serbë dhe 22 punonjës administrativë e staf mbështetës.

Anton Nrecaj, jurist dhe udhëheqës i Institutit CLARD ka thënë për gazetën Nacionale se kjo situatë, e vështirëson tej mase funksionimin e drejtësisë në Kosovë.

“Normalisht që nëse gjyqtarët dorëhiqen, ata nuk mund të kthehen më në vendin e punës. Nuk do të thotë që nuk mund të vazhdojë funksionimi i Gjykatës, gjyqtarët serbë do të zëvendësohen me vendim nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për me plotësu sado pak atë zbraztirën, por procesi i emërimit merr kohë. Zëvendësimi me gjyqtarë të tjerë, minimum 1 vjet. Ndikon në funksionim, por duhet me zëvendësu gjyqtarë, me dërgu gjyqtarë nga zona tjera për me kry punë deri të plotësohen ato zbrazëtira, kjo është në dorë të Këshillave”, deklaroi Nrecaj për gazetën Nacionale.

Por, a mund të kthehen në punë këta gjyqtarë e prokurorë?

“Varet si e vlerëson KGJK, vendimin që e nxjerrin. Realisht nuk ish dashtë me u kthy pasi ata kanë dhënë dorëheqje shkaku i një urdhri prej politikës. Gjyqësori dhe politika janë komplet pushtete të ndara, dhe automatikisht atyre nuk duhet t’iu lejohet kthimi në pozita që kanë pasur, sepse i bie që kanë qenë nën ndikim të politikës”, deklaroi më tutje Nrecaj.

Ai vlerësoi se në këtë situatë, është prishur Marrëveshja e Brukselit për drejtësinë.

“Marëveshja e Brukselit për gjyqësorin është prishur, ka rënë në ujë. Si e tillë, më nuk mund të jetë funksionale. Nuk mund të jetë e zbatueshme. Në situatën që kemi qenë, duhet një marrëveshje e re, por që marrëveshje të re nuk mundet ligjërisht, politikisht edhe munden që ata të kthehen, por ligjërisht jo sepse kanë qenë nën ndikimin e politikës. Shefat e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë KGJK-ja dhe KPK-ja, jo partitë politike”, theksoi Anton Nrecaj.

Pse u dorëhoqën serbët?
Supsendimi i drejtorit të Policisë së Kosoëvs për veri, Nenad Gjuriq dhe vendimi i qeverisë për targat ishin dy arsyet kryesore sipas përfaqësueseve serbë të Kosovës që të largohen nga institucionet.

Pas kësaj, Lista Serbe të dielen mbajti një tubim në sheshin e Mitrovicës Veriore, ku shprehën pakënaqësitë ndaj këtyre vendimeve.

Ata kërkuan themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe tërheqjen e vendimit për targat.

Situata e krijuar në veri të vendit, nxiti reagimin e SHBA-ve dhe BE-së, të cilët kërkuan që çështjet të zgjidhen përmes dialogu.

ShBA kërkoi nga Kosova shtyrjen e vendimit për targat dhe të njejtën kohë themelimin e Asociacionit.

Kujtojmë se përveç dorëzimit të mandateve të deputetëve të Listë Serbe, ngjashëm kanë vepruar edhe kryetarët e komunave, gjyqtarë të gjykatave si dhe pjesëtarë serbë të Policisë së Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *