E quajti “anëtar të partisë serbe”, Elvis Hoxha i kërkon falje Rrahman Jasharajt

Këshilltari i kryeministrit Kurti, Elvis Hoxha, i ka kërkuar falje kryesindikalistit Rrahman Jasharaj pasi e quajti “anëtar të partisë serbe”.

Hoxha ka thënë se nuk ka turp të kërkojë falje, dhe se e gjithë deklarata e tij ishte e rrënjosur në një lajm të shpërndarë nëpër disa media, i cili tash i doli të jetë i pakonfirmuar.

Hoxha e ripërsëriti disa herë se kërkim faljen po e bën vetëm ndaj komentit që pati për kryesindikalistin Jasharaj derisa tha se e konsideron të papranueshme këmbënguljen e Jasharajt për ta vazhduar mbajtjen e grevës në arsim.

Shkrimi i plotë i tij:

Nuk kam turp të kërkoj falje, sidomos nëse i kam rënë në qafë z. Rrahman Jasharaj duke u bazuar në një lajm të gabuar që u shpërnda nëpër media lidhur me personin dhe të shkuarën e tij. Nuk e di si qëndron e vërteta lidhur me këtë lajm. Siç duket informacioni, edhe pse i shpërdarë nëpër disa media, paska qenë i pakonfirmuar. Kështu që i kërkoj falje, jo thjesht, por falje me ndjenjë të lartë përgjegjësie.

Pak më intereson se si më ka kualifikuar z. Jasharaj në një shprehje të tij publike.
Së dyti, i kërkoj falje vetëm për informacionin e paqëndrueshëm në lidhje me të shkuarën e tij. E dëgjova shprehjen e tij publike. E përsëris se nuk kam turp të kërkoj falje kur kam bërë një cilësim të padrejtë.

Por i lutem zotit Jasharaj, të mos e marrë fare këtë falje si gjithpërfshirëse. Në kohën kur po zhvillohet një punë intensive për rivlerësimin e pagesës së mësuesit, të këmbëngulësh në grevë dhe në ndërprerje të procesit pa nisur ende shkolla, kjo më duket e papranueshme.

Unë jam mbështetës i sindikalizmit. Megjithatë, buxhetet dhe direktivat e tjera të sovranitetit janë një organizim i tërë. Arsimi është shtylla e Republikës. E njoh shumë mirë edhe arsimin paralel në kohën e pushtimit. Është një nga vlerat më shembullore në Evropë. Ndaj dhe më duket shumë mekanike dhe e keqorientuar greva aktuale. Nderi i mësuesit nuk shprehet vetëm te paga. Dinjiteti dhe autoriteti i mësimdhënësit është shumë kompleks. Ai qëndron tek aftësia komunitare dhe cilësia publike e arsimit, te garancitë e ardhmërisë së kombit dhe shoqërisë.

Nuk më interesojnë kërcënimet fizike që më janë dërguar dhe më dërgohen në messenger dhe në komente.

Edhe një herë, ky postim qëndron vetëm në një kërkim falje drejtuar vetëm z. Jasharaj në lidhje me një informacion të paqëndrueshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *