Ethet e Nilit Perëndimor po përhapen me shpejtësi në vendet europiane, sidomos në Itali. Autoritetet shëndetësore paralajmërojnë turistët për shpërthimin e sëmundjes vdekjeprurëse, të bartur nga mushkonjat.
Qendra Evropiane për Kontrollin e Sëmundjeve ka konfirmuar 90 të infektuar, të regjistruar nga 9 gushti. Ekspertët sugjerojnë se shumica e rasteve kanë ardhur nga Italia, ku janë regjistruar 56 të prekur dhe një viktimë, gjatë këtij viti.
Rumania ka raportuar pesë raste, teksa Franca dhe Hungaria kanë regjistruar të dyja nga tre persona të prekur. Ndërsa në El Dorado të Kalifornisë është konfirmuar shpendi i parë që mbart infeksionin.
Virusi i Nilit Perëndimor mund të transmetohet te njerëzit përmes pickimit të një mushkonja të infektuar, por jo nga njeriu tek njeriu. Ndërsa pjesa më e madhe e të prekurve nuk shfaqin simptoma, disa mund të kenë temperaturë të lartë, dhimbje koke të forta ose lodhje që mund të zgjasë nga disa ditë deri në disa javë.