19 komunat e Kosovës nuk e kanë falur borxhin e tatimit në pronë për qytetarët ndërsa 15 prej tyre e kanë falur.
Nga këto 15 komuna, ndryshe nga të tjerat që kanë falur nga 100 euro Prishtina e Vitia ka falur më pak.
Nga 50 euro ua ka falur Vitia e 75 euro Prishtina qytetarëve nga borxhi i tatimit në pronë.
E, disa nga komunat që nuk vendosën për faljen e tatimit kanë marr vendim që t’i zbrisin normat tatimore për 5%.
Se a do të merr ndonjë veprim Ministria e Financave për komunat që nuk e falën tatimin, Front Online ka dërguar pyetje në këtë ministri.
Nga MF-ja kanë bërë të ditur se ky vendim ju ka takuar vetëm komunave të vendosin.
“Siç e dini tatimi në pronë mblidhet dhe mbahet nga komunat prandaj edhe vendimi për faljen apo jo të tatimit i takon komunave që të vendosin”.
Ministria ne detaje ka njoftuar se si e ka paraparë Ligji faljen e tatimit në pronë nga komunat për qytetarët.
“Kjo e drejtë njihet në bazë të Ligjit Nr.08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr.06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, neni 11/A është përcaktuar diskrecioni i komunave që të vendosin rreth faljes së tatimit dhe lartësisë së shumës së falur duke mos e tejkaluar shumën prej 100 Euro, në afat prej 30 ditësh nga dita e hyrjes në fuqi të Ligjit Nr.08/L-224”, thuhet në përgjigjën e MF-së .
Falja për borxhin në tatim është zbatuar për 15 komuna, thonë nga ministria e Financave.
“Për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese afati për vendimmarrje është shtyrë deri më 8 dhjetor 2023, me ç’rast 15 komuna kanë nxjerrë vendime për falje dhe 19 komuna nuk kanë vendosur fare rreth kësaj çështje, andaj falja është zbatuar vetëm për këto 15 komuna përshtatshmërisht”, thuhet në përgjigje.
8 dhjetori ka qenë afati i fundit për të vendosur komunat lidhur me faljen e tatimit deri në vlerën prej 100 eurove.
Disa nga komunat kanë kërkuar nga Ministria e Financave të rimbursohët shuma e falur.