Miroslav Trajkoviq, serbi me nënshtetësi kosovare me prejardhje nga Krushevci i Obiliqit, ka ndërtuar shtëpinë e tij tash e mbi 20 vite në Graçanicë. Ai zotëron gjuhën shqipe dhe pretendon se e di më mirë sesa disa shqiptarë.
Trajkoviq, në një bashkëbisedim me Gazetën Insajderi, ka thënë se nga shteti i Kosovës merr pensionin prej 100 eurosh dhe një tjetër nga Serbia.
“I kënaqum jam, dy pensione po i marr, të Serbisë dhe Kosovës 100 euro që po na i japin. Unë kom punu 40 vjet në elektro-ekonomi. Tash KEDS-i është. Pse mos me e marrë pensionin prej Serbisë?”, deklaroi ai për Insajderin.
Ai, ndër të tjera, ka befasuar me aftësinë e të folurit të gjuhës shqipe. Ndër të tjera, ai ka pretenduar se e di shqipen më mirë sesa disa shqiptarë.
Trajkoviq ka thënë për Insajderin se gjuhën shqipe e ka mësuar edhe në shkollë, por edhe për shkak të afërsisë me shqiptarët e Kosovës.
I pyetur nëse ndihet i përfaqësuar nga partia politike serbe ‘Lista Serbe’, ai ka thënë se është apartiak.
“Unë për asnjë parti s’jam; as për Listën Serbe, as për Rashiqin [Nenad Rashiq, ministër për Komunitete dhe kthim] as për Trajokoviqin [Rada Trajkoviq, këshilltare politike e Rashiq] as…”, ka bërë të ditur më tej Trajkoviq.
Pos tjerash, ai ka thënë se ka në posedim leternjoftimin e Kosovës dhe kartelë identiteti të Serbisë.
Serbi me prejardhje nga Obiliqi kur është pyetur nëse ka incidente ndër-etnike në Graçanicë, ai ka mohuar një gjë të tillë.
Ai po ashtu ka thënë se ndihet i kënaqur me qeverisjen e Qeverisë Kurti.