Gjashtë persona kanë pësuar lëndime trupore, pas rënies së ashensorit në një ndërtesë në Prishtinë.
Rasti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:51 në rrugën “Hisni Gashi”.
“Është raportuar se si pasoj e një ashensori i cili ka rënë në një ndertës nga kati i dytë në podrum, lëndime trupore kanë pësuar gjashtë persona viktima femra kosovare të cilat janë dërguar në QKUK për trajtim të nevojshëm mjekësor”, ka njoftuar policia në raportin 24 orësh.
Ndërsa nga QKUK kanë thënë për Insajderin se pesë gra janë dërguar në shtëpi, kurse njëra nga gratë është dërguar për trajtim të mëtejmë në Klinikën e Ortopedisë.
“Mbrëmë, rreth orës 23:30, në Klinikën Emergjente të QKUK-së, janë pranuar 6 persona të lënduar nga rënia e liftit . Pas ndihmës mjekësore emergjente, 5 persona janë liruar në shtëpi, kurse 1 është pranuar për trajtim të mëtejmë në Klinikën e Ortopedisë, jashtë rreziku për jetë”, kanë thënë nga zyra për media.