Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka thënë se marrëveshja me Serbinë duhet të jetë për njohje të ndërsjellë.
Në shënimin e 23-vjetorit të themelimit të AAK-së, Haradinaj tha se partia e tij duhet t’i prijë sërish Kosovës.
Ne besojmë në Kosovën në paqe me vetën, por edhe në paqe me fqinjët. Ne do të punojmë për fqinjësi të mirë me të gjithë fqinjët. Ne besojmë në marrëveshjen për njohje me Serbinë dhe do ta ndihmojmë Kosovën që t’i bashkohet familjes euroatlantike”, tha Haradinaj.
“Ne besojmë në NATO, pasi aleanca me NATO-n ka lindur në kohërat më të vështira tona. Pa asnjë kalkulim do të punojmë që me hy në NATO”, shtoi ai.
Duke folur për partinë e tij, Haradinaj tha se në kohën e sotme të gjithë duhet t’i bashkohen AAK-së për të udhëhequr sërish me vendin.
“Ashtu sikur kohërat e vështira kanë lindur njerëz të zot dhe patriot të shquar edhe kohërat në paqe kanë lindur njerëz të mirë por edhe profesionist të çmuar. Të dy këto kohëra, edhe kohërat e vështira dhe të mira e kanë lindur Aleancën (AAK)… Kosova na thërret me u bë bashkë, ne që besojmë, ne që punojmë pa kalkulim që t’i prijmë Kosovës. Na thërret koha e sotme që të bashkohemi në Aleancën tonë”, theksoi Haradinaj.