Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka refuzuar ta takojë kryeministrin e Malit të Zi Dritan Abazoviq.
Siç merr vesh Paparaci, arsyeja e refuzimit të takimit nga kreu i Aleancës ka të bëjë me qëndrimin e kryeministrit malazez Abazoviq rreth Demarkacionit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi dhe çështjeve të tjera që lidhen me zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.
“Kryetari i AAK-së ka pasur një kërkesë nga qeveria e Malit të Zi për takim, por ka refuzuar pikërisht për arsye të qëndrimeve të Abazoviq”, ka thënë një zyrtar i AAK-së.
Paparaci ka kontaktuar me drejtues të AAK-së por kanë preferuar të heshtin.
Ajo që dihet deri më tani është se Abazoviq ka takuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti me të cilin ka nënshkruar një marrëveshje për trafikun ajror.
Gjithashtu, Abazoviq ka takuar dy krerët e opozitës, kreun e Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi dhe atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Ai është pritur të premten në iftar nga kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ndërsa të shtunën në Presidencë është pritur nga e para e vendit, Vjosa Osmani.