Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth, pasiguri e humbje të medha.
Një rast i tillë ka ndodhur pak ditë më parë në një shtëpi në Gjakovë, ku një gruaje i është vjedhur kuleta me të hollat brenda saj.
Sinjali mëson se 50-vjeçarja e cila ka parë se në dollapin e saj mungon kuleta brenda të cilës kishte para të gatshme në vlerë të mbi 1 mijë eurove, u detyrua që rastin ta denoncojë në Polici.
Bazuar në dëshminë e saj, gruaja ka pasur dyshime se këtë vepër ka mundur ta kryejë një i mitur, i cili u bë edhe subjekt i hetimit nga ana e Policisë.
Njësitë policore janë vënë menjëherë në veprim dhe kanë kërkuar për të dyshuarin, mirëpo fillimisht nuk është hasur e më pas është arritur që të shoqërohet në Polici për intervistim.
14-vjeçari është intervistuar nga hetuesit policorë në prezencën e avokatit mbrojtës dhe prindit të tij, ku ka pranuar se ka kryer veprën për të cilën dyshohet. Ai ka dorëzuar disa nga paratë që kanë mbetur nga shuma e vjedhur dhe një telefon i tipit iPhone i cili po ashtu u ble me paratë e vjedhura.
Me urdhër të prokurorit, ndaj të miturit është iniciuar rasti ‘Vjedhje e rëndë’ dhe i njëjti është dërguar në mbajtje për 24 orë.