Rastet e mashtrimit me viza në Kosovë nuk janë të rralla. Shumë herë Sinjali ka raportuar se si kosovarët nga dëshira për të ikur nga vendi, kanë rënë pre e mashtruesve, të cilët u kanë premtuar viza. Një rast i tillë dyshohet se i ka ndodhur edhe një qytetari nga Fushë Kosova, i cili ia ka dhënë një personi një shumë të të hollave para një muaji, por mbeti pa para dhe pa vizë.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se qytetari që u mashtrua ka vendosur që të takohet me të dyshuarin me të cilin bëri marrëveshje, por konflikti mes tyre vetëm sa u thellua dhe rasti u denoncua në Polici.
Në dëshminë e tij të dhënë para hetuesve thuhet se ai e ka paguar të dyshuarin rreth 800 euro, për t’ia rregulluar një vizë pune për Gjermani. Por që nga ajo kohë, i dyshuari përveç që nuk e mbajti premtimin, as të hollat nuk ia ka kthyer viktimës, çka e mllefosi këtë të fundit dhe i kërkoi llogari.
Si rezultat i denoncimit, Policia e ka arrestuar personin e dyshuar, i cili ësht) arsyetuar se paratë që ia mori viktimës ishin si huazim dhe jo për vizë. Pas përfundimit të procedurave policore, rasti është iniciuar si “Mashtrim”, teksa është urdhëruar ndalimi i të dyshuarit për 48 orë.