I riu në Skenderaj kërcënon nënën e tij me thikë, i kërkon para

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.

Një rast i frikshëm ka ndodhur në Skenderaj, ku një person dyshohet se ka kërcënuar me thikë nënën e tij.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 51-vjeçarja ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi është ndjerë e rrezikuar nga veprimet e djalit të saj.

Bazuar në dëshminë e saj, i biri i ka kërkuar para dhe më pas e ka kërcënuar me thikë, por nuk e ka sulmuar.

Si rezultat i denoncimit, 24-vjeçari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të riut t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Dhunë në familje’ dhe ‘Kanosje’.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *