Notice: Function _load_textdomain_just_in_time was called incorrectly. Translation loading for the wordpress-seo domain was triggered too early. This is usually an indicator for some code in the plugin or theme running too early. Translations should be loaded at the init action or later. Please see Debugging in WordPress for more information. (This message was added in version 6.7.0.) in /home/frontqym/public_html/wp-includes/functions.php on line 6114
Informacion me rëndësi rreth faljes së 100 eurove të tatimit në pronë -

Informacion me rëndësi rreth faljes së 100 eurove të tatimit në pronë

Pezullimi i vendimit për ndryshimet në Ligjin për Tatimin në Pronë, nga Kushtetuesja rrezikon që të humb afatet që janë paraparë për faljen e 100 euro tatim për qytetarët. Kjo pasi sipas vendimit më 30 shtator 2023 është afati i fundit për pagesën e këstit të dytë të tatimit në pronë. E Kushtetuesja më 4 shtator vendosi që vendimi për ndryshimet në këtë ligj të pezullohet deri në nëntor të këtij viti, shkruan Gazeta Express.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka konfirmuar për Express se pas vendimit të gjykatës, Kuvendet Komunale nuk mund të marrin vendime që lidhen me heqjen e 100 euro nga tatimi në pronë.

“Pas pezullimit të vendimit nga Kushtetuesja, Kuvendet Komunale nuk mund të marrin vendime ose të miratojnë faljen e 100 eurove tatim në pronë”, ka thënë ai për Express.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

Hoti tha se është duke ndodhur një kaos me pagesat e tatimit në pronë.

“Është duke ndodhur kaos me pagesat e tatimit në pronë. Masa e përkohshme, e vendosur nga Gjykata Kushtetuese, që e pezullon zbatimin e Ligjit Nr.08/L-224 lidhur me tatimin në pronë vlen deri më 30 nëntor 2023. Ndërkaq, sipas ligjit në fuqi Nr.06/L-005, më 30 shtator 2023 është afati i fundit për pagesën e këstit të dytë të tatimit në pronë. Me shumë të drejtë kemi kërkuar që faturat e rivlerësuara të tatimit në pronë të fillonin së zbatuari nga janari i vitit të ardhshëm. Arsyeja ishte e thjeshtë: u dyfishua barra tatimore për shumë qytetarë dhe biznese pa asnjë njoftim paraprak dhe kishte plot të meta sa i përket zonimit të lagjeve”, tha ai.

E vendimin e Kushtetueses e pati kritikuar ministri i Financave, Punës dhe Transfereve i Kosovës, Hekuran Murati.

Murati e cilësoi vendimin e Kushtetueses si “masë pezulluese për t’i mbrojtur komunat nga vetvetja”, në një shkrim në llogarinë e vet në Facebook.

“Madje për t’i shkuar ironisë deri në fund, paska pezulluar edhe vendimet që disa prej komunave tashmë i kanë marrë për faljen e një pjese të barrës tatimore. Krejt kjo në emër të parandalimit të ndërhyrjes në kompetenca të komunave…Pra po del ajo që pata paralajmëruar për gardën e vjetër, se qëllimin e kanë që të fshihen prapa Gjykatës Kushtetuese, se gjoja ata “do ta kishin miratuar zbritjen e tatimit, por ja që ligji është bllokuar në Gjykatë Kushtetuese”, shkroi Murati.

Më 4 shtator, Kushtetuesja e pranoi kërkesën e parashtruar nga Komuna e Prizrenit, duke vendosur masë të përkohshme deri në nëntor të vitit 2023 për nenin 5 të ligjit, derisa të merret një vendim përfundimtar.

Neni 5, veç tjerash, parashihte që çdo tatimpagues të kualifikohej për faljen e tatimit në pronë në vlerë prej 100 eurosh.

Kushtetuesja argumentoi se vendimi u mor bazuar në kompetencat vetanake të komunave, ku përfshihen edhe e drejta për mbledhjen e të ardhurave nga tatimet dhe shpenzimin e këtyre të hyrave sipas vendimit të vetë autoriteteve lokale.

“Për më tepër, vendosja e masës së përkohshme ndaj nenit 5 të ligjit të kontestuar, përkatësisht pezullimi i efekteve të tij deri në vendimmarrjen përfundimtare të Gjykatës, mundëson evitimin e cenimit të përgjegjësive komunale dhe zvogëlimit të të hyrave përkatëse komunale, në rast që Gjykata përmes vendimmarrjes përfundimtare konstaton që neni i lartcekur nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën”, u tha në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ligji për tatimin në pronë hyri në fuqi më 14 gusht.

Më herët gjatë këtij viti, kreu i Ministrisë të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kishte deklaruar se në bazë të ndryshimeve ligjore, 85 për qind e tatim-paguesve nuk do të paguanin asgjë për vitin 2023, 10 për qind të tjerë do të paguanin më pak se 100 euro dhe vetëm 5 për qind e tatimpaguesve do të paguanin më shumë se 100 euro. /Express/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *