Ka mbetur edhe një javë deri në skadimin e afatit të përdorimit të targave serbe në Kosovë.
Por, ndërkombëtarët po e kërkojnë shtyrjen e afatit për targat.
SHBA dhe BE kanë kërkuar që Qeveria e Kosovës ta shtyjë vendimin për 10 muaj.
Emisari Gabriel Escobar e konfirmoi këtë kërkesë javën që lamë pas, derisa tha se kërkesa ka ardhur nga Sekretari i Shtetit, Blinken.
“Biseda jonë për këtë është ende në një fazë të ndjeshme. Shpresoj shumë që do të zgjasin afatin, shpresoj se do të pranojnë kërkesën e vendeve të Quintit dhe kërkesën personale të Sekretarit të Shtetit për ta shtyrë atë për ta bërë zbatimin më pak kaotik dhe për të krijuar kushtet për zbatimin e duhur”, tha Escobar.
Ndërsa sot, kërkesën e njëjtë e ka konfirmuar edhe Bashkimi Evropian.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se kërkojnë që të shtyhet afati për 10 muaj, në mënyrë që të shmangen tensionet dhe dhuna e mundshme në veri.
“Prandaj, që nga fillimi i këtij procesi, ne i kemi rekomanduar Qeverisë së Kosovës që të vendosë një periudhë 12 mujore për riregjistrimin. Duke ndjekur të njëjtin arsyetim, tani po kërkojmë nga qeveria e Kosovës që të shtyjë afatin ekzistues për 10 muaj. Kjo shtrirje do të mundësonte një fushatë informative dhe konsultime më thelbësore dhe gjithëpërfshirëse me popullsinë e prekur”, ka thënë Stano për RTV Dukagjini.
“Duhet të shmanget përshkallëzimi i tensioneve dhe potencialisht, dhuna në veri të Kosovës. Kjo është e një rëndësie të veçantë në kontekstin aktual gjeo-politik, në funksion të ruajtjes së stabilitetit në rajon”, ka shtuar ai.
Por, si duhet të veprojë Qeveria e Kosovës?
Ish koordinatori për dialog, Skender Hyseni, thotë se Qeveria duhet ta respektojë kërkesën e Esobar, QUINT-it dhe BE-së për targat, duke i lënë rrugën marrëveshjes gjithëpërfshirëse.
“E them me bindje se qeveria e Kosovës duhet të respektojë kërkesën e Escobar që duket se është kërkesë edhe e gjithë Quintit dhe të shtyjë implementimin e vendimit për targat, duke lënë hapur rrugën për marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila çështjen e targave dhe shumë problemeve tjera i zgjidhë me automatizëm”, vlerëson ai.
Hyseni paralajmëron se nëse Qeveria nuk e përfillë këtë kërkesë, pasojat për Kosovën do të jenë të mëdha dhe për Qeverinë do të jetë e pafalshme që të rrezikojë partneritetin me SHBA-të.
“Nuk mund ta di nëse qeveria do ta pranojë kërkesën e Escobar, por ajo që di është se rekomandimet dhe kërkesat dashamirëse amerikane dhe evropiane duhet të përfillen dhe respektohen plotësisht! Nëse kjo nuk ndodh, pasojat për Kosovën do të jenë të mëdha. Është e pafalshme nëse kjo Qeveri rrezikon partneritetin me SHBA-të dhe partnerët tjerë në perëndim me veprime infantile e populliste, siç është fundja edhe kjo loja me target. Është thelbësore që të përmbahemi nga çdo veprim aventuresk, të cilin Serbia do ta përdorë si pretekst për ruajtjen e sataus-quosë, për ikje nga një marrëveshje gjithëpërfshirëse, si dhe për krijimin e epërsisë diplomatike”, potencon Skender Hyseni.
Në anën tjetër, ish deputetja Shqipe Pantina, thotë se kryeministri Kurti duhet ta drejtojë dialogun te marrëveshja përfundimtare dhe të mos merret me çështje teknike.
“Qeveria gjegjësisht kryeministri Kurti duhet që dialogun ta drejtojë drejt arritjes së marrëveshjes përfundimtare politike e mos të rrëshqasin drejt çështjeve teknike. Fare s’ka rëndësi edhe sa kohë serbët që jetojnë në pjesën veriore me çfarë targa i ngasin makinat, edhe nëse nuk e shtyn afatin e ndërrimit të targave nuk ka garanci se ata nuk do të dalin në rrugë me tabelat e vjetra”, potencon ajo.
Pantina vlerëson se çështja e targa nuk e forcon sovranitetin në veri dhe se të gjitha problemet zgjidhen me njohje nga Serbia.
“Prandaj, marrja me çështje të tilla teknike nuk e forcon sovranitetin e vendit në pjesën veriore, vetëm zgjidhja përfundimtare, pra njohja nga Serbia iu jep fund këtyre problemeve. Çdo marrëveshje tjetër e re për gjëra të tilla teknike është kot dhe humbje kohe”, deklaron Shqipe Pantina për Gazeta Blic.
Ndryshe, deri tani vetëm 15 serbë janë pajisur me targa RKS./Gazeta Blic/