Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës ka proceduar aplikimin e Kosovës që të shkojë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Por jo të gjitha shtetet votuan pro këtij avancimi të Kosovës për rrugën drejtë Këshillit të Evropës.
Agron Bajrami, ambasador i Kosovës në Bruksel, ka thënë se shtetet si Azerbeidzjan, Qipro, Gjeorgjia, Hungaria, Rumania, Serbia dhe Spanja votuan kundër Kosovës.
Pra prej shteteve që e kanë njohur Kosovën kundër ishte Hungaria që drejtohet nga Viktor Orban.
Në anën tjetër kanë abstenuar Bosnja, Greqia, Moldavia, Sllovakia dhe Ukraina.
Ndërkaq shteti i Armenisë nuk ka votuar fare.
Kosova ka kaluar etapën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Këtë e bëri të ditur ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e cila e quajti hap historik dhe më të rëndësishmin pas pavarësisë së vendit.
“Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, i cili përfaqëson 46 shtetet anëtare, në një mbledhje të jashtëzakonshme, me më shumë se 2/3 e votave sapo mori vendimin që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës. Për shtetin tonë të ri, vendimi i sotëm përbën një hap historik, ndoshta më të rëndësishmin pas pavarësisë sonë. Me këtë vendim përmbyllet një etapë e rëndësishme drejt anëtarësimit të plotë”, deklaroi ajo.
Gërvalla theksoi se mbetet ende shumë punë për të bërë, dhe se procesi i anëtarësimit do të jetë i gjatë dhe me sfida.
Ministrja i ka falënderuar të gjithë ata që kanë mbështetur Kosovën për këtë sukses, duke i përmendur në veçanti shtetet, të cilat nuk e kanë njohur formalisht shtetin e Kosovës, që po ashtu nuk e kanë bllokuar.
Po ashtu, i ka falënderuar ShBA-të, Zyrën e Presidentes, të kryetarit të Kuvendit, të kryeministrit dhe Ministrinë që ajo e drejton.
Tutje, ajo ka thënë se në fillim ka pasur skpeticizëm për aplikimin e Kosovës në KiE, por që guximi, sipas saj, ka qenë tejet i madh.
“Kur në maj të vitit të kaluar, pra para më pak se një viti, dorëzuam në Këshillin e Evropës kërkesën për anëtarësim, numri i skeptikëve ishte i madh. Sot e dimë se sa i rëndësishëm dhe vendimtar ka qenë guximi i atyre ditëve. Falë vullnetit të palëkundur të qytetarëve të Republikës së Kosovës për sundim të ligjit dhe demokraci, të shprehur në votën masive të 14 shkurtit, Kosova, si shembulli më i mirë i demokracisë në rajon, do të ecë e sigurt në rrugën e saj euroatlantike”, ka thënë ajo.
Kosova e kishte dorëzuar aplikimin për në KiE më 12 maj të vitit të kaluar.