Drejtoresha e Arsimit në komunë e Prishtinës, Besianë Musmurati, ka dalë kundër kërkesës së qeverisë që të identifikohen listat e grevistëve.
Ajo ka thënë se komuna e Prishtinës ofron bashkëpunim që të ndërmjetësojë dialogun qeveri- SBASHK, por që nuk i dorëzohen presionit për dorëzim të listave.
“Shkollat e Prishtinës janë të gatshme të fillojnë mësimin. Kemi investuar në gati secilën shkollë që shtatori të na gjejë me ambiente më miqësore. Gjithashtu, së bashku me të gjitha komunat e Kosovës, ofruam bashkëpunim për Ministren Nagavci për të ndërmjetësuar dialogun mes Qeverisë dhe SBASHK-ut që mësimi të fillojë nesër. Por nuk do të lejojmë që Qeveria të bëjë presion në komuna për çështje që u takojnë të zgjidhen në nivel qendror”, ka shkruar drejtoresha Musmurati.
Tutje Musëmurati është shprehur se e përkrahin dialogun por asesi nuk dorëzojnë lista të mësimdhënësve që janë në grevë.
“Dialogu i shëndoshë është mënyra e vetme që të ecim përpara. Si Prishtinë, e japim përkrahjen për dialog por nuk dorëzojmë lista të grevistëve në Qeveri. Përkrahim bashkëpunimin dhe jo përçarjen”, ka përfunduar ajo.