Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i akuzuar si njëri prej udhëheqësve të sulmit terrorist të ndodhur ditën e diel në Banjskë të Zveçanit, ndodhet në Spitalin Ushtarak të Beogradit.
Radoiçiq është larguar i plagosur nga territori i Kosovës dhe momentalisht është duke marr mjekim në Spitalin Ushtarak në Beograd. Lajmin për vendndodhjen e tij e ka konfirmuar “Indeksonline”.
Radoiçiq akuzohet që së bashku me një grup prej rreth 30 personave ka kryer një sulm terrorist të dielën, ku ka mbetur i vdekur rreshteri Afrim Bunjaku.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka publikuar një video dje ku shihet Milan Radoiçiq së bashku me terroristët tjerë të armatosur në Manastrin e Banjskës prej nga dyshohet të jenë kryer sulmet.
Nga sulmi terrorist i organizuar të dielën kanë mbetur të vdekur tre terroristë serbë, ndërsa janë arrestuar edhe tetë të tjerë.
Policia e Kosovës ka sekuestruar një arsenal të tërë armësh, që sipas llogaritjeve të para arrin vlerën prej 5 milionë eurove.