Kombëtarja e Kosovës në futboll e pati një cikël kualifikues për t’u harruar sa më shpejt që të jetë e mundur.
Aktualisht, Kosova gjendet e katërta në grupin I me vetëm shtatë pikë dhe nuk do të kualifikohet në Euro 2024 përmes këtij cikli.
Megjithatë, “Dardanët” mund ta kenë një rrugë tjetër për t’u kualifikuar në këtë Evropian, megjithatë asgjë nuk varet nga ta.
20 ekipe kualifikohen në Evropian përmes ciklit kualifikues, ndërsa Gjermania shkon tutje si vend nikoqir.
Ndërsa, tri vendet e mbetura për Evropian do të përcaktohen nga Liga e Kombeve e sezonit 2022/23.
Nga një ekip në secilën ligë: A, B dhe C do të kualifikohet në Kampionatin Evropian.
Paraprakisht, katër fituesit e grupeve në secilën ligë kualifikohen në play-off.
Në rast se ekipi i parë i grupit e ka siguruar kualifikimin përmes ciklit kualifikues, atëherë në play-off shkon ekipi i ranguar më mirë në ligën përkatëse.
Nga liga C, Kosova gjendet në vendin e shtatë për arritjen e play-offit, çka do të thotë se duhet të paktën tri ekipe para saj të sigurojnë kualifikimin nëpërmjet ndeshjeve kualifikuese që janë duke u zhvilluar.
Gjeorgjia, Greqia, Turqia, Kazakistani, Luksemburgu dhe Azerbajxhani janë para Kosovës.
Turqia aktualisht gjendet e para në grupin e saj në kualifikuese, ndërsa më afër kualifikimit direkt janë Luksemburgu dhe Greqia.