Marrja e dokumenteve të udhëtimit e patentë shoferëve nga qytetarët të cilëve u ka kaluar afati dhe ata që duan të pajisen për herë të parë me këto dokumente është bërë e vështirë tash e një kohë të gjatë.
Kohëve të fundit ka pasur ankesa të shumta nga ana e qytetarëve për pritje të gjata për t’u pajisur me dokumente personale.
Disa nga ta kanë thënë për Reporteri.net se pritja për t’u pajisur në formë të rregullt me pasaportë kosovare shkon deri në disa muaj.
Ministria e Punëve të Brendshme nuk është përgjigjur në pyetjet që Gazeta Online Reporteri.net ka dërguar në adresë të tyre gjatë kësaj jave në lidhje me afatin kur mund të kthehet furnizimi me material, që ka qenë vazhdimisht arsyetimi i Ministrisë për pritjet e gjata.
Ata po ashtu nuk janë përgjigjur as në pyetjen se si po trajtohen rastet urgjente dhe cilat janë kategoritë që po u mundësohet pajisja më e përshpejtuar me dokumente personale.
Në media gjatë ditës së sotme, është duke u raportuar se mundësia më e afërt për furnizim me material me pasaporta është mesi i janarit të 2023-tës.
Ky problem nuk është i vjetër për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Po gjatë muajit të kaluar, Ministria e Brendshme kishte fajësuar “krizën globale, si dhe pandeminë m COVID-19, si arsye për çka furnizimet me material janë vështirësuar.
Po gjatë kësaj jave, në seancën e Kuvendit të Kosovës, disa deputetë kërkuan sqarime nga Ministri, Xhelal Sveçla rreth këtij problemi me të cilin po përballen qytetarët e Kosovës tash e një kohë të gjatë, por i njëjti nuk ishte prezent në seancë.