Rumania është njëri prej pesë vendeve anëtare të BE-së që nuk e njeh Kosovën si shtet.
Kjo për shkak të problemeve që i ka përgjatë historisë, me dy ish-provincat, Bukovina dhe Besarabia, përcjell lajmi.net.
Përkundër faktit se qysh nga viti 1989, Rumania e ka pranuar se nuk ka pretendime territoriale ndaj ish-provincave që sot u përkasin Moldavisë e Ukrainës, mosmarrëveshje ka pasur vazhdimisht.
Kufijtë e jashtëm të Rumanisë janë rezultat i ngjarjeve relativisht të fundit. Në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, territori i vendit përfshinte vetëm provincat e Vllahisë, Moldavisë dhe Dobrujas.
Kjo zonë, e njohur si Regat ose Mbretëria e Vjetër, u krijua me shpërbërjen e Perandorisë Osmane në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Në fund të Luftës së Parë Botërore, Rumania fitoi Transilvaninë dhe Banatin. Një pjesë e këtij territori humbi gjatë Luftës së Dytë Botërore, por negociatat ia kthyen Rumanisë.
Ndërkaq, përmendim faktin se përveç Rumanisë, nga vendet anëtare të BE-së, si shtet nuk e njohin Kosovën edhe Greqia, Qipro, Sllovakia e Spanja.