Kur do të ekzekutohen pagat për grevistët?

Ende nuk dihet se kur do të ekzekutohen pagat për punëtorët e institucioneve publike, të cilët janë grevë që nga 25 gushti.

Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë ndonjë informacion. Kurse, zyrtarë në Thesarin e Kosovës thonë se janë në pritje të konfirmimit të listave të pagave.

Thesari i Kosovës është institucion që menaxhon dhe bën ekzekutimin e pagave.

Nysret Koca, zëvendësdrejtor i përgjithshëm për kontabilitet, raportim dhe monitorim në Thesarin e Kosovës, ka deklaruar se gjatë ditës (1 shtator) nuk ka pranuar ndonjë konfirmim të listave nga organizatat buxhetore për ekzekutim të pagave.

“Jemi në pritje. Më 31 gusht kemi pranuar konfirmimin e [disa] listave për paga dhe i kemi ekzekutuar”, tha ai.

Protestat e punëtorëve të sindikatave në Prishtinë duke kërkuar paga më të mira.

Thesari i Kosovës për çdo muaj dërgon listat e pagave tek organizatat buxhetore për të konfirmuar ndonjë ndryshim eventual.

“Ky është një proces i rregullt mujor dhe në fund të muajit finalizohet lista pasi të jetë konfirmuar nga organizata buxhetore përmes sistemit të pagave”, deklaroi Koca për REL.

Nga fundi i muajit gusht, në grevë janë mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike nga rritja e çmimeve të konsumit. Ata kërkojnë 100 euro në muaj deri në miratimin e Projektligjit për paga.

Ekzekutivi, më 31 gusht ka bërë ekzekutim të pjesshëm të pagave për këtë muaj.

Pagat për muajin gusht janë ekzekutuar për punonjësit e Policisë së Kosovës, ata të sistemit të drejtësisë dhe të ministrive

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *