Qeveria e Kosovës rreth një javë më parë ka marrë vendim për ndarjen e nga 100 euro për pensionistë dhe fëmijët nën moshën 16 vjeçare. Sa për kohën se kur do të dalin këto shtesa, as vet qeveria s’ishte e sigurtë.
Murati në mbledhje kishte thënë se nuk ka nevojë për aplikim për këto shtesa, pasi ato do të ndahen sipas listës ekzistuese të shtesave që marrin fëmijët për çdo muaj.
“Sa i përket këtyre dy masave nuk ka nevojë për aplikim për ata që janë ekzistues në skema. Të gjithë pensionmarrësit këtë të premte do të marrin pensionet e rregullta, ndërsa ditët në vijim pas përgatitjeve teknike do të njoftohen se kur do të bëhet transferi për shtesën prej 100 euro. Poashtu edhe për nënat dhe prindërit që marrin shtesa për fëmijët, do të njoftojmë me kohë pra gjatë ditëve në njoftim se kur do të procedohet shtesa prej 100 euro e njëhershme për të gjithë fëmijët në kuadër të shtesës së rregullt që ata i marrin shtesat për fëmijët. Transferi bëhet në llogarit ekzistuese”, ka thënë Murati.
Në anën tjetër, zv.ministri i Financave, Agon Dobruna, ka thënë për indeksonline se po bëjnë përpjekje që pagesat të kryhen këtë javë, mirëpo nuk mund të garantoj, për shkak se është çështje teknike.
“Kemi pritur deri më 20 dhjetor që pensionistët me u lajmëru dhe kjo na ka marrë kohë pak. Tani jemi duke procedu. Është çështje teknike, ditëve në vijim do të procedohen, sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës”, ka thënë Dobruna.