Kurti ia shpreh Borrellit “gatishmërinë” për zgjedhje të jashtëzakonshme në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur në samitin “Globsec” që po mbahet në Bratisllavë të Sllovakisë ku ka thënë se është shprehur i gatshëm përpara Shefit të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell dhe të dërguarit të tij, Miroslav Lajçak që të diskutojë për zgjedhje të jashtëzakonshme në veri.

Ai ka thënë se protestat e dhunshme janë të papranueshme, por në anën tjetër është tërhequr duke thënë se ka shprehur gatishmërinë t’i dëgjojë protestuesit dhe mbase të pajtohet nëse ata kërkojnë zgjedhje të jashtëzakonshme, shkruan Paparaci.

“Më lejoni të bëj një pyetje jo-retorike, nëse kryetarët nuk janë në objektet komunale, ku duhet të jenë? Kush duhet të jetë në këto ndërtesa? Mandati i tyre nuk është 4 vite, është 2, por edhe kjo nuk është e domososhme të zgjasë, isha duke diskutuar tani me Borrellin dhe Lajçak, ku thash se kur thash se nëse do të ishte një protestë paqësore për zgjedhje të jashtëzakonshme, do të kishte mirëkuptimin tim, por jo banda me shkronjën ‘Z’ që sulmojnë policët dhe ushtarët, gjuajnë granata dhe bërtasin Ubi, Ubi që përkthehet vrit, vrit. Nëse ata duan protesta paqësore për zgjedhje të jashtëzakonshme ata kanë një kryeministër që ka qenë gjithë jetën një aktivist dhe është i gatshëm t’i dëgjoj e mbase të pajtohet me ta”, tha Kurti.

Më tutje, duke folur lidhur me situatën në veri, Kurti është shprehur se protestuesit kanë shfaqur dhunë dhe përkrahje për regjimin despotik të Putinit.

“Në çdo ndërtesë komunale në Kosovë, janë nga pak deri në disa policë dhe unë mendoj se duhet të ketë edhe në komunat veriore, por përderisa është kjo protestë e dhunshme jashtë, që kërcënojnë të sulmojnë, që bëjnë grafike me shkronjën Z dhe shprehin mbështetje për regjimin despotik të Putinit. Dhe gjithashtu disa prej tyre janë policë në Serbi dhe xhandarmëri atje, ne duhet të kemi policinë. Policia është duke bërë punë shumë profesionale, janë të trajnuara nga perëndimi demokratik, janë të orientuar kah perëndimi dhe i njohin të drejtat e njeriut”, thotë Kurti.

Ai më tutje ka thënë se në veri ka serbë që duan të bashkëpunojnë, por nuk lejohen nga Beogradi dhe Lista Serbe.

“Kryetari zgjedh nënkryetarët, kështu që kryetari shqiptar po zgjedh nënkryetar serb dhe po funksionon. Unë kam një ministër, Nenad Rashiq ai e ka partinë e vet dhe ka zëvendësin nga Leposaviqi, nga komuna më veriore. Janë serbë më të cilët në mund të bashkëpunojmë, por situata nuk është e lirë dhe fer sipas kërcënimeve dhe shantazheve që marrin nga Serbia zyrtare që janë të lidhur me projektin e botës serbe, të gjithë serbët në një vend dhe kjo po reflektohet në vendin tonë me tentimet për destabilizim”, tha Kurti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *