“Kosova do të ketë të drejtë për Liberalizim- pasi t’i ketë plotësuar kushtet franceze”, kështu ka deklaruar ish-ambasadori Beqë Cufaj pas kushtit francez për funksionalizimin e sistemit ETIAS . Ai ka treguar kohën sipas tij, kur mund të nisin kosovarët udhëtimin.
Një ditë pas raportimit se Presidenca çeke e Bashkimit Evropian, ka vendosur ta pranojë kushtëzimin francez për heqjen e vizave për Kosovën me funksionalizimin e sistemit ETIAS, ka ardhur edhe reagimi i ish-ambasadorit të Kosovës në Gjërmani, Beqë Cufaj.
Sipas Cufajt çështja e liberalizimit të vizave është e lidhur me marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai përmes një statusi në Facebook, ka treguar se çfarë do të ngjajë më tutje me liberalizim i vizave.
“Javën që vjen, me 9 Nëntor, mbahet mbledhja e Ekspertëve KE për Schengen të cilët do të diskutojnë për protokollet e miratuara dje- e ku mes tjerash flitej edhe për “kërkesat” franceze për Kosovën- marrëveshje dypalëshe me shtetet anëtare për riatdhesimin dhe futjen në fuqi të ETIAS. Njëkohësisht në këtë takim sipas gjase do të jepet drita e gjelbërt. Pra që Kosova do të ketë të drejtë për Liberalizim- pasi t’i ketë plotësuar kushtet franceze”, shkroi Cufaj.
Cufaj tha se qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza në Evropë vitin që vjen, shkruan Insajderi.
“Që i bie: vitin që vjen qytetarët tanë do të lëvizin në Europë pa patur nevojë për viza. Por për këtë- futja në fuqi e këtij vendimi do të ngjajë atëherë kur ETIAS të lëshohet në përdorim. Dhe ETIAS do të lëshohet në përdorim atëherë kur Kosova dhe Serbia të kenë nënshkruar Marrëveshjen”, tha më tej Cufaj.