Pas më shumë se një viti, Policia e Kosovës ka arritur të arrestojë një person të dyshuar për mashtrim në fshatin Dobrosh të Gjakovës. Arrestimi i tij erdhi pas denoncimit të një 58-vjeçari i cili ia shiti një automjet vitin e kaluar të dyshuarit, por mori vetëm 20% të pagesës. Sinjali raportoi se i dyshuari tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Hazir Demirin, 40-vjeçar, i cili pas arrestimit është shoqëruar në stacion policor, ku u intervistua dhe me urdhër të Prokurorit u dërgua në mbajtje për 48 orë.
Por si ndodhi rasti?
Marrëveshja mes palëve ishte lidhur në muajin shtator të vitit të kaluar, kur viktima vendosi që ta shes një kamion në vlerë prej rreth 5 mijë euro, shumë kjo që i dyshuari duhej t’ia paguante.
Por përveç që mbeti pa kamion, gjakovari s’i mori as paratë. Siç mëson Sinjali, viktima ka deklaruar në Polici se i dyshuari ia ka dhënë rreth 1000 euro, ndërsa pjesën tjetër të borxhit ndonëse i kishte premtuar se do ta kryente, një gjë të tillë nuk e kishte bërë.
Pasi s’u bë i gjallë, viktima vendosi të kërkojë ndihmë nga Policia, duke e denoncuar rastin. Si rezultat, pas më shumë se një viti, Policia ka arritur ta arrestojë të dyshuarin, i cili është kapur gjatë ditës së djeshme.
Demiri do të hetohet për veprën penale “Mashtrim”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.