Lista Serbe të shtunën dha dorëheqje nga të gjitha institucionet e Kosovës.
Ky vendim është marrë pas një takimi të zhvilluar në mesditën e së shtunës në Zveçan.
Pas dorëheqjeve të dielën në Mitrovicë të Veriut u mblodhën qytetarë serbë, të cilët kërkuan tërheqjen e vendimit për targat dhe krijimin e asociacionit.
Por se a pritët pas këtyre zhvillimeve të ketë tensionim të situatës në veri, Front Online ka kontaktuar disa nga ekspertët e sigurisë në vend.
Njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi thotë se përshkallëzimi mund të ndodhë shumë shpejt dhe se duhet një reagim i shpejt i SHBA-ve në lidhje me zhvillimet e fundit.
Ibishi deklaroi se mund të ketë tensioni nga më të ndryshmet.
“Presidenti i Serbisë është duke zgjedhur metoda më të lehta se sa përshkallëzimin e situatës në veri, si duke bojkotuar institucionet me qëllim që ta alarmojë Bashkësinë Ndërkombëtarë. Nëse kjo nuk do të tërheq vëmendje unë mendoj që do të përshkallëzohet situata me tensione nga më të ndryshmet. Nëse nuk ndodh një ndërhyrje e SHBA-ve për një zgjidhje të situatës të menjëhershme unë mendoj se përshkallëzimi do të ndodhë shpejt”, potencoi Ibishi.
Islami: KFOR-i është i obliguar të sigurojë sovranitetin territorial të Kosovës
Ndryshe nga Ibishi po mendon profesori i Shkencave të Sigurisë, Avni Islami.
Islami tha për Front Online se nuk pret përshkallëzim të situatës në vëri.
Pasi sipas tij, KFOR-i është i obliguar ta sigurojë territorin e Kosovës.
“Nuk pres që të ketë përshkallëzim të situatës në vëri, pasi KFOR-i është i obliguar ta sigurojë sovranitetin territorial të Kosovës dhe në raste të caktuara të intervenojë”, potencoi ai.
Islami deklaroi se largimi i serbëve nga institucionet ka për qëllim ta shkëpusë veriun nga Kosova.
“Situata në vëri të Kosovës është pak në gjendje të mjegulluar pas zhvillimeve të fundit nga serbët. Veprimet e serbëve janë ekstreme, largimi i policisë, prokurorisë, gjykatave ka për qëllim të krijojë boshllëk në mënyrë që gjendja të jetë kaotike. Me këto veprime Serbia është e interesuar që veriun e Kosovës ta shkëpusë nga Kosova”, u shpreh Islami.
Shala: Situata e sigurisë në veri po menaxhohet mirë
Sipas njohësit tjetër të sigurisë Drizan Shala, Kosova është e përgatitur për çfarëdo situate në veri.
Ai thotë se deri tash gjithçka është nën kontroll nga organet e rendit.
“Një situatë e tillë është duke u menaxhuar mirë me rimodelim të personelit nga stacioneve dhe njësive të rendit që duhet të zbatojnë punët e përditshme policore në atë vend”, theksoi Shala.
Ndryshe, të hënën Lista Serbe i ka dorëzuar mandatet e deputetëve në Kuvendin e Kosovës.
Edhe SHBA-të kanë kërkuar nga Kosova që të themelohet asociacionin, dhe të shtyhet edhe vendimi për targat.