Shtrenjtimi i rrymës duket të jetë opsion i pashmangshëm sivjet. Pas paralajmërimit të Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanollit, për rritje të tarifave, këtë e kanë thënë edhe nga Zyra e Rregullatorit për Energji.
Kërkesat për rritje të tarifave ende s’janë dorëzuar, por nga ZRRE thonë se rritja e kostove të blerjes së energjisë duhet të reflektohet edhe në tarifa.
Ende pa u bërë një vit nga hyrja në fuqi e tarifave të shtrenjta, rryma pritet të shtrenjtohet sërish për kosovarët gjatë dimrit. Në këtë periudhë, nevoja për import rritet, pasi kapacitetet vendore nuk mbulojnë nevojat për gjithë vendin.
Shtrenjtimin e energjisë e ka paralajmëruar Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë raportimit në Komisionin Hetimor për Energji.
Sipas Rizvanollit, si rrjedhojë e motit të mirë në këtë kohë dhe uljes së kërkesës për energji elektrike, çmimi i rrymës në tregjet ndërkombëtare ka shënuar rënie dukshëm, por shtoi se nuk përjashtohet mundësia e rritjes së çmimeve sërish me ftohjen e motit gjatë dimrit.
Për këtë paralajmërim të Ministres, janë deklaruar nga Zyra e Rregullatorit për Energji.
Nga ZRRE kanë thënë se ende s’kanë pranuar ndonjë kërkesë për rritje të tarifave, por s’e kanë përjashtuar mundësinë që të ketë shtrenjtim të energjisë.
Petrit Pepaj nga ky institucion i ka thënë Gazetës Express se meqë kostot e blerjeve të energjisë kanë pasur rritje të vazhdueshme, kjo duhet të reflektohet edhe në tarifa.
“Zyra e Rregullatorit për Energji ende nuk ka pranuar aplikacionet nga të licencuarit e rregulluar KOSTT, KEDS dhe KESCO, që kanë të bëjnë me të Hyrat e lejuara Maksimale dhe tarifat për vitin 2023.
Përgjatë këtij vitit kostot e blerjeve të energjisë kanë pasur rritje të vazhdueshme, këto kosto mbi nivelin e lejuar për gjatë vitit duhet të reflektohen në tarifa kurdo që procesi i përshtatje të tarifave të ndodh, rrjedhimisht mundë te pritet edhe rritje e tarifave”, ka deklaruar Pepaj për Gazetën Express.
Shtetet që e refuzuan Kosovën për kontrata afatgjate për importin e energjisë
Kosova e ka të domosdoshëm importin e energjisë gjatë dimrit. Por, edhe me importin mund t’i dalin probleme. Meqë shteti s’ka arritur të nënshkruajë kontrata afatgjate për import, përveç që do t’i duhet ta blejë rrymën me çmim shumë të shtrenjtë, do ta ketë edhe problem që ta sigurojë, meqë të gjitha shtetet janë në nevojë për të.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, tregoi para tri jave se kanë tentuar që të lidhin kontrata afatgjate për importin e energjisë me katër shtete, por që kanë refuzuar.
Shtetet me të cilat është tentuar të nënshkruhen këto kontrata janë Bullgaria, Maqedonia, Greqia dhe Danimarka.
“Masat që kanë sugjeruar disa mendjendritur që me ba kontrata afatgjate, është pa që asnjë shtet s’po mundet me nënshkru kontrata afatgjatë. Sepse edhe ata që e kanë energjinë nuk janë budallenj. Pse me ta ba kontratën afatgjate me 180 euro, kur çmimi është 1 mijë euro për MËh. Kemi tentuar me Bullgarinë, Maqedoninë, Greqinë, kemi tentu edhe me Danimarkën. Të gjithë thonë po e shohim, masnej thonë jo vetëm këmbim”, ka deklaruar Bislimi në ATV.
Bislimi tha Kosova po përballet me krizën energjetike shkaku i kapaciteteve të stërvjetëruara. Në situatën që gjenden, thotë se në çdo minutë mund të pëlcas ndonjë gyp.
“Ne e kemi krizën për arsye se i kemi kapacitetet e stërvjetruara, e në të cilat nominalisht kanë hyrë qindra miliona investime. Me pas hy investime sa është thënë nominalisht, ato ish dashtë me u dok si të reja. Po aty në çdo minutë mundet me pëlcit një gyp, sepse thotë ky gyp s’është prek nga 1970. Kjo është situata me kapacitetet ekzistuese. Edhe me u tranu, kapacitete ekzistuese s’mundesh me i ndryshu brenda 5 viteve”, tha Bislimi.
Ndryshe, nevojat e Kosovës për energji elektrike i tejkalojnë kapacitetet e prodhimit, sidomos gjatë dimrit.
Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavat në orë, kurse nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavat në orë. Këtë diferencë, ajo zakonisht e importon nga jashtë.
Bazuar në statistikat e institucioneve në Kosovë, amvisëritë janë shpenzuesit kryesorë të rrymës totale që prodhohet në vend.