Pas raportimit të Veriu.info se dyshohet që 5 serbë janë vrarë në veri gjatë konfrontimit me armë zjarri me Policinë e Kosovës, ka reaguar kjo e fundit duke konfirmuar se është vrarë një pjesëtarë i grupit kriminal.
Policia e Kosovës e ka konfirmuar se e ka vrarë njërin nga pjesëtarët e grupit kriminal në veri. Në orët e para të së dielës, nga të shtënat e grupit kriminal u vra një polic dhe mbetën të lënduar dy policë të tjerë të Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës e ka konfirmuar se e ka vrarë njërin nga pjesëtarët e grupit kriminal në veri.
“Njësitet policore konform situatës dhe rrezikut të shfaqur nga sulmet sporadike të grupeve kriminale, në vetëmbrojtje të tyre dhe të qytetarëve të asaj zone, janë detyruar t’iu kundërpërgjigjen grupeve kriminale, ku referuar informacioneve të deritanishme, një nga sulmuesit është vrarë”, ka konfirmuar Policia e Kosovës.
Sulmet ndaj Policisë po vazhdojnë gjatë gjithë kohës, ka konfirmuar Policia e Kosovës.
“Situata në Veri të vendit, konkretisht në zonën e fshatit Banjska vazhdon të jetë e tensionuar, grupet kriminale kohë pas kohe po sulmojnë me armë zjarri njësitet policore në teren, të cilat edhe përkundër sulmeve ndaj tyre po vazhdojnë angazhimin duke krijuar perimetër të sigurisë, në interes të qetësimit të situatës, ofrimit të sigurisë dhe sundimit të rendit dhe ligjit në Kosovës”, thuhet në reagim.
Sulmuesit janë të pajisur me armë të rënda si granata e zolla.
“Sulmuesit profesional në numër të konsiderueshëm, të maskuar e të uniformuar me uniforma të ndryshme, të armatosur me armë të rënda, granata, mjete ushtarake (zolla), disa mjete të blinduara, po shfrytëzojnë hapësira dhe objekte të ndryshme, private, përfshirë në dhe përreth manastirit në Banjska, për të kryer lëvizje, strehim dhe pozicionim për gjuajtje me armë zjarri ndaj njësiteve policore të PK-së”, thuhet më tutje.
“Referuar situatës dhe rrethanave të krijuara, Policia e Kosovës për shkaqe sigurie ka mbyllur për qarkullim kufitar dy vendkalimet kufitare në veri (Jarinje dhe Bërnjak), andaj fton të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim si dhe të shmangun daljet dhe lëvizjet e tyre në atë rajon/zone”, theksohet në komunikatë.
“Bashkëpunimi dhe koordinimi i Policisë së Kosovës me institucionet kompetente vendore dhe ndërkombëtare po vazhdon, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së kryerësve të sulmeve të vazhdueshme ndaj zyrtarëve policorë dhe njëherit fton ata që të dorëzohen para organeve të rendit”, përfundon njoftimi.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë me dije që janë rreth 30 persona të armatosur rëndë.
“Sulmet mbi policinë tonë duke vazhduar, janë së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë e policë, të cilët ndodhen në rrethimin e forcave I ftoj të dorëzohen. Janë së paku 30 të tillë. Ata janë që po e sulmojnë policinë tonë edhe pasi që kanë vrarë Afrim Bunjaku dhe kanë plagosur Alban Rashiti.” – ka thënë Kurti në konferencë për medie pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë.
“Ne do t’u përgjigjemi terrorit dhe terroristëve. Ne jemi në anën e drejtë, po punojnë për siguri dhe rend e ligj. I ftoj të gjithë qytetarët që të ruajnë qetësinë dhe të tregojnë maturi, të lejojnë institucionet.” – ka thënë Kurti.
Në anë tjetër, për vrasjen e policit, kanë reaguar edhe SHBA-të, Gjermania, e shefi i diploamcisë së BE-së, Josep Borell e emisari i BE-së, Mirosllav Lajçak.