Lajmi i fundit rreth ‘granteve’ nga Ministria e Bujqësisë

Ndonëse këtë vit priten të ndahen miliona euro grante në bujqësi, Ministria e Bujqësisë akoma nuk ka hapur thirrjen për aplikim. Nga kjo ministri nuk kanë treguar se kur pritet të hapet thirrja dhe sa para do të ndahen grante për bujqit. Fermerë e ekspertë të bujqësisë thonë se ndarja e granteve duhet të bëhet pa vonesa.

Me qëllim të përkrahjes së bujqve dhe rritjes së prodhimtarisë vendore, Ministria e Bujqësisë pritet të ndajë rreth 100 milionë euro këtë vit. Kështu u zotuan edhe në një konferencë për media në fillimvit kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci.

Aplikimi për pagesa direkte – subvencione për vitin 2023, i cili parasheh rritje të përkrahjes për bujqit, tashmë ka përfunduar. Ndërkohë, thirrja për aplikim për grante akoma nuk është hapur.

Radio Kosova ka pyetur Ministrinë e Bujqësisë se kur pritet të hapet thirrja për aplikim për grante dhe sa është vlera totale e mjeteve që planifikohen të ndahen për bujqit këtë vit, por, përkundër interesimit dhe pritjes mbi një javë, nga kjo ministri nuk kanë kthyer përgjigje.

Kryetar i Federatës Sindikale të Bujqve, Tahir Tahiri, teksa ankohet për mungesë transparence e informatash nga Ministrisë e Bujqësisë, kërkon që grantet për bujqit të ndahen pa vonesa.

“Bujqit të cilët planifikojnë të vazhdojnë veprimtarinë e tyre përmes granteve, bëjnë planifikime, marrin kredi dhe bëjnë edhe përgatitje të tjera për të aplikuar për përfitimin e ndonjë granti, për të cilin kanë projekte. Nëse nuk u jepet mundësia dhe nuk ndahen grantet me kohë, atëherë bujqit largohen nga bujqësia dhe orientohen diku tjetër. Më e keqja këtu është migrimi i bujqve jashtë vendit”, tha ai.

Tutje, Tahiri thotë se edhe disa bujq përfitues të granteve gjatë vitit 2022, akoma nuk i kanë marrë mjetet, pasi kanë hasur disa parregullsi.

Edhe profesori universitar, Imer Rusinovci, thotë se ndarja e granteve nuk duhet vonuar dhe se për këtë ministria duhet të punojë me kujdes. “Ministria e Bujqësisë duhet të punojë shumë më shumë në terren dhe t’i targetojë për grante fermerët e vyeshëm, ata që vërtet punojnë. Monitorimi duhet të jetë i atillë që të mos lejohet asnjë keqpërdorim e të mos përkrahen sipërfaqet që nuk punohen. Duhet të mbështetet fermeri që punon dhe ngastrat që punohen. Ky është ligj dhe s’po e them unë, por është edhe në kuadër të Politikave të Përbashkëta Evropiane të ashtuquajturat KAP”, tha Rusinovci.

Profesor Rusinovci thotë se ministria duhet të vazhdojë me përkrahjen e bujqve për zhvillimin e veprimtarive dhe kulturave të ndryshme bujqësore, sidomos atyre që sjellin rezultate dhe rendimente më të mira në rritjen e prodhimtarisë bujqësore vendore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *