Kosovarët të cilët hasin në telashe me ligjin në vendet e Perëndimit, shumë shpesh janë dëbuar që atje me ç’rast janë kthyer të jetojnë të vetëm në vendlindje. Duke qenë se familjarët e tyre vazhdojnë jetën në Evropë, ata që jetojnë në Kosovë nuk arrijnë që të jenë prezentë në të gjitha ditët e veçanta të tyre, duke bërë që ata të revoltohen dhe të bëjnë veprime të pamenduara mirë.
Një rast i tillë është raportuar dje për një burrë nga fshati Obranqë e komunës së Podujevës, i cili u dëbua nga Gjermania pasi ishte dënuar me disa vite burgim. Ai është denoncuar në Polici nga bashkëshortja e tij me shtetësi gjermane e cila jeton në Gjermani.
Mësohet se 38-vjeçarja ka deklaruar se gjatë kohës që ka qenë në pushim në Kosovë, i dyshuari e ka ofenduar, kërcënuar e shpesh herë edhe e ka sulmuar fizikisht atë dhe djalin e tyre të mitur.
Sipas dëshmisë së saj, i dyshuari e ka njoftuar se ka bërë falsifikim të dokumenteve dhe përmes tyre do shkojë i armatosur në Gjermani, ku thotë se do bëjë masakër nëse s’e lejojnë të jetë pjesëmarrës në ditën e parë të shkollës së djalit të tij.
Me të marrë informatën, njësitë policore janë vënë në lëvizje, me ç’rast kanë arritur që të arrestojnë 40-vjeçarin nga Podujeva, i cili u shoqërua në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti për veprat penale ‘Kanosje’ dhe ‘Dhunë në familje’. I njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.