Mblidhet Qeveria Kurti: Propozohen subvencione për energjinë elektrike, përfitojnë dy kategori

Qeveria e Kosovës ka propozuar ndarje buxhetore për zbutjen e ndikimit socio-ekonomik të krizës energjetike.

Për të ndihmuar qytetarët në kalimin e dimrit, qeveria ka propozuar të subvencionohen familjet e skemave sociale dhe pensionale për periudhën e dimrit.

Ndarja e mjeteve do të bëhet përmes zbatimit të dy masave, 1 dhe 4, të Planit të Veprimit për zbutjen e ndikimit të menjëhershëm socio-ekonomik të krizës energjetike.

“Shqyrtimi i Propozim-vendimit për ndarjen e mjeteve buxhetore për zbatimin e masës 1. dhe 4. të Planit të Veprimit për zbutjen e ndikimit të menjëhershëm socio-ekonomik të krizës energjetike sipas Vendimit të Qeverisë Nr. 29/112 të datës 13.12.2022, i ndryshuar dhe plotësuar me Vendimin e Qeverisë Nr. 03/128 të datës 16.02.2023 (MFPT)”, thuhet në pikën e tetë të rendit të ditës, të mbledhjes së ekzekutivit që mbahet sot.

Masa 1, të cilën pritet ta miratojë sot kabineti qeveritar, parasheh mbështetjen e drejtpërejtë financiare për familjet më të cenueshme dhe në disavantazh në periudhën e dimrit, në vlerë 25 milionë euro. Nga kjo masë, sipas Planit të Veprimit, do të përfitojnë pranuesit e skemave sociale dhe pensionale, si dhe grupet e tjera të cenueshme dhe të margjinalizuara, raporton Paparaci.

Ndërkaq, masa 4 parasheh mbështetjen e konsumatorëve familjarë, duke përfshirë konsumatorët në nevojë në investimin e pajisjeve shtëpiake efeciente dhe sisteme të energjisë së ripërtëritshme në vlerë 10 milionë euro.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *